LETËR E HAPUR

Drejtuar:        z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
 
Nga:                   Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri
 
Tiranë, 20 Gusht 2021
I nderuar z. Kryeministër,
Më lejoni që nëpërmjet kësaj letre të hapur, në emër të CRCA/ECPAT Shqipëri, të shprehim mbështetjen tonë maksimale për vendimin e marrë nga ana juaj për të pritur përkohësisht dhe për të strehuar në Shqipëri të larguarit nga Afganistani, sidomos gratë dhe fëmijët, të cilët janë më të rrezikuarit nga gjendja aktuale që po kalon ky vend.  
Ne mendojmë se Shqipëria, ndonëse është një shtet i varfër, përsëri ka nxjerrë mësime të jashtëzakonshme sesi të presë e të kujdeset për refugjatët, sidomos kur ata vijnë nga vende konflikti, për shkak të rolit të rëndësishëm që në luajtëm në kujdesin dhe mbrojtjen e thuajse 1 milionë grave, burrave e fëmijëve nga Kosova.
Sidoqoftë Shqipëria e vitit 2021 nuk është ajo e vitit të largët 1999. Ndaj në këtë aspekt, kërkesat, pritshmëritë dhe në tërësi sjellja e institucioneve, duhet të jetë ajo e një vendi anëtar të NATO-s dhe kandidati për në Bashkimin Europian.
Eksperienca jonë si organizatë, thuajse 25 vjeçare, në zona apo në mbështetje të përsonave që vijnë nga situata lufte apo krize, na ka mësuar se transparenca, bashkëpunimi dhe koordinimi janë esenciale për të ndihmuar njerëzit e familjet që vijnë nga situata të tilla apo të përafërta.
Ndaj gjatë ditëve të fundit, ne kemi vënë re, jo pa shqetësim, mungesën e tranparencës ndaj një eventi që ka ndikim të jashtëzakonshëm në drejtim të jetës sonë shoqërore, por edhe më gjerë, në Shqipëri. Ne besojmë se Qeveria shqiptare i ka të gjitha mundësitë për të ndërmarrë veprimet e duhura që nxisin krijimin e kushteve për kujdesin sa më të mirë të refugjatëve Afganë dhe në mënyrë të posaçme mbrojtjen e fëmijëve dhe grave.
Ne e vendosim theksin te këto të fundit, pasi është fakt i njohur që jetesa në kampe apo mjedise të përbashkëta krijon kushte për abuzimin dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve dhe grave, rrëmbimin  apo trafikimin e tyre, përdorimin për punë të paligjshme apo skllavëruese.
Në koordinim me organizatat e shoqërisë civile, që janë parakushte tepër të rëndësishme për suksesin e këtij misioni, besojmë se ju nuk do të dëshironit që asnjë nga këto fenomene të ndodhte, ndaj edhe vendosëm t’ju drejtohemi ju me këtë letër të hapur, jo vetëm për të rritur vëmendjen tuaj përkundrejt kësaj çështjeje, por edhe për ta tërhequr atë ndaj bashkëpunimit.
Në ditët dhe javët në vijim, institucionet tona publike, por edhe ju personalisht, do të jemi nën vëzhgimin e publikut shqiptar, por edhe atij ndërkombëtar, për të garantuar që Shqipëria është e aftë të kujdeset për refugjatët Afganë. Ndaj në këtë kuadër, ne duam t’ju nxisim që të ndërmerrni, ndër të tjera, edhe këto masa të propozuara nga organizata më e vjetër për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri, CRCA/ECPAT:
 

Krijimin pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të një Komiteti Kooordinues të Ndihmës dhe Mbështetjes së Refugjatëve Afganë në Shqipëri, me pjesëmarrjen e të gjitha ministrive të linjës, Bashkisë së Tiranës, OMSHC-ve shqiptare dhe të huaja që veprojnë në vend, si dhe donatorëve;

Përgatitjen e një Plani të Mbrojtjes dhe Kujdesit të Grave dhe Fëmijëve Afganë, së bashku me protokollet përkatëse, shërbimet e garantuara dhe pikat e kontaktit, shkollat ku do të studiojnë fëmijët etj.

Caktimin e një Koordinatori Kombëtar për të koordinuar dhe lehtësuar zbatimin e të gjitha veprimeve dhe masave të caktuara nga Komiteti Kooordinues;

Përkthiminsa më shpejt, në gjuhën angleze dhe afgane, të shërbimeve më të domosdoshme mbrojtëse dhe atyre të përkujdesit, përfshi edhe informacionet se ku mund të raportojnë çdo formë dhune, kërcënimi, rrëmbimi, shfrytëzimi, etj;

Mbështetje financiare për krijimin e ekipeve të psikologëve dhe punonjësve socialë si dhe mjediseve të shërbimeve psiko-sociale nga OSHC-të vendase, për të monitoruar dhe raportuar në baza ditore gjendjen e të ardhurve e sidomos të fëmijëve dhe grave;

Krijimin e mjediseve të përshtatshmebrenda apo jashtë ndërtesave ku do të jetojnë të ardhurit nga Afganistani për të ofruar shërbime psiko-sociale, shkollim joformal, lojra, konsulta shëndetësore etj., nga ana e OSHC-ve shqiptare.

Ne besojmë se këto masa do të ndihmonin në krijimin e kushteve sa më të mira për kujdesin ndaj tyre. Ne mbetemi në dispozicionin tuaj për të punuar së bashku në mbrojtje të fëmijëve, të rinjve e grave nga Afganistani, deri në integrimin e tyre të plotë.
 


Deetajet e Lajmit
August 20, 2021
179
Kategoria