Prezantohet publikisht projekt-ligji “Për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”

Prezantohet publikisht projekt-ligji “Për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”

Nisma më e fundit ligjore e CRCA Shqipëri është përjekja e parë serioze e Lëvizjes Kombëtare #NEJEMI1 për parandalimin e krimeve seksuale kundër fëmijëve dhe grave në Shqipëri

Tiranë, 8 Tetor 2020 - CRCA/ECPAT Shqipëri, Barnahus Albania dhe Zyra Ligjore për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri, prezantuan sot në një forum on-line, projekt-ligjin “Për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale në Shqipëri”. Projekti është përgatitur nga ekspertët më të mirë në fushën e mbrojtjes së të dreJtave të fëmijëve, si dhe juristët e avokatët e Zyrës së Mbrojtjes Ligjore Falas për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri. Pjesë e forumit, i cili zgjati rreth 2 orë, u bënë një sërë institucionesh publike dhe OSHC që punojnë për fëmijët dhe gratë në Shqipëri, ekspertë ligjorë dhe të ftuar edhe nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Shqipëria prej 2 vjetësh është përfshirë nga një sërë skandalesh të dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në shkolla, shtëpi fëmijësh apo nga vetë prindërit. Rritja e ndërgjegjësimit të fëmijëve dhe grave mbi dhunën seksuale, ka sjellë rritjen e raportimeve në polici dhe shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve dhe atyre të dhunës në familje.

Sipas studimit të CRCA/BECAN: 1 në 10 fëmijë në është viktimë e dhunës seksuale. Që prej Janarit 2019 - Qershor 2020 janë raportuar publikisht 66 raste të fëmijëve që kanë rënë pre e ngacmimit dhe dhunës seksuale nga persona të afërt apo familjarë të tyre; 3 vajza janë vetëvrarë, dhe vetëm gjatë 2 javëve të fundit janë raportuar 5 raste të tjera – tregojnë shifrat e rregjistruara nga Barnahus Shqipëri.

CRCA/ECPAT Shqipëri ka që në vitin 2016 që kërkon ngritjen e regjistrit kombëtar të krimeve seksuale. Nisur nga rritja e numrit të raportimeve dhe mungesa e nismave ligjore nga qeveria apo kuvendi, CRCA vendosi që të angazhojë ekspertët e saj më të mirë për të përgatitur projekt-ligjin dhe më pas prezantimin e tij për miratim në Kuvend si një nismë deputetesh.

Projekt-Ligjii cili ka për qëllim të parandalojë krimet dhe dhunën seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri, nëpërmjet vëzhgimit dhe kontrollit të lëvizjeve të personave të dënuar apo të vetë-regjistruar si pedofilë. Projekt-ligji bazohet në eksperiencën legjislative dhe praktikat më të mira të disa vendeve, si: Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Irlanda, SHBA dhe Maqedonia e Veriut. Regjistri do t’i shërbejë institucioneve publike dhe atyre private, që punojnë me dhe për fëmijët, për të eleminuar punësimin e pedofilëve në mjedise ku ka fëmijë, ndërsa vetë ligji ka një karakter të fortë social dhe parandalues, duke i dhënë mundësi çdo personi që është pedofil të shmangë kryerjen e krimeve seksuale.

CRCA pas diskutimeve dhe konsultimeve me institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe ekspertët e të drejtave të fëmijëve, për të përmirësuar edhe më tej përmbajtjen e tij, versionin final të project-ligjit do ta paraqesë në Kuvend për të marrë edhe aprovimin e deputetëve.

 

Për më shumë, kontaktoni

CRCA/ECPAT Albania

crca@crca.al

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL