Altin Hazizaj: Gati ligji, krijohet “Regjistri kombëtar i pedofilëve”

Altin Hazizaj: Gati ligji, krijohet “Regjistri kombëtar i pedofilëve”

Intervistë ekskluzive dhënë Revistës online IconStyle

 

Ideja për këtë intervistë na lindi duke diskutuar mbi njoftimin rutinë të policisë. “Një 51-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 15-vjeçare. Policia bën të ditur se materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”. Në të shumtën e rasteve këto hetime mbyllen pa bujë dhe pedofilët dalin pa cenuar nga proceset, ose dënohen shumë pak. Si mund t’i mbrojmë fëmijët nga këta njerëz herë të dhunshëm, here të maskuar apo edhe të sofistikuar? Drejtori i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve (CRCA), Altin Hazizaj e ka një ide. Pedofilët të regjistrohen në një regjistër dhe të mbahen nën kontroll pasi dalin nga burgu. Si do të funksionojë, sa raste ka në Shqipëri, kush po e bën këtë projektligj? Këtë na e shpjegon Altin Hazizaj, që ka përgatitur një propozim për ta bërë regjistrin me një projektligj.

 

Iconstyle: Si do të funksionojë ky regjistër?

Altin Hazizaj: Ideja e regjistrit është tashmë “e vjetër” pasi është propozuar nga CRCA Shqipëri për herë të parë në vitin 2014, nisur nga disa ngjarje të rënda të dhunës seksuale ndaj fëmijëve. Në atë kohë ne paraqitëm kërkesën tonë për përmirësime në Kodin Penal dhe bashkë me ta edhe kërkesën për krijimin e regjistrit. Në atë kohë Kuvendi sa kishte kaluar disa ndryshime të tjera në Kod, ndaj na u sugjerua që të prisnim në një kohë të dytë. Në vitin 2016, me hapjen e Platformës Kombëtare ISIGURT.AL ne u përballëm me një sërë krimesh ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve që po ndodhnin online, pra në botën virtuale, ndaj së bashku me disa ekspertë shumë të mirë nga Fakulteti Juridik, u ulëm e punuam për të sjellë një grup të plotë propozimesh në Kodin Penal, përfshi edhe krimet në internet. Pas disa muajsh Kuvendi na ftoi në një seancë dëgjimore për këto ndryshime, por çfarë kuptuam ishte se asnjë prej tyre nuk ishte mjaftueshëm i ndërgjegjësuar për të kuptuar vlerën e këtyre ndryshimeve, ndaj ata refuzuan t’i shpien për miratim këto ndryshime.

Zgjedhjet e reja të 2017-s dhe konflikti politik e bëri shumë të vështirë komunikimin me Kuvendin, për të arritur në fillim të vitit 2020 kur një sërë ngjarjesh të rënda të dhunës e shfrytëzimit seksual të fëmijëve, treguan sesa të nevojshme ishin këto ndryshime dhe sa shumë fëmijë do të ishin mbrojtur, nëse Kuvendi do të kishte treguar vëmendjen e duhur.

Po i kthehem pyetjes sesi do të funksionojë Regjistri – pasi tashmë është e qartë që funksionimi i tij është i lidhur ngushtësisht me Kodin Penal. Sipas variantit që ekspertët më të mirë të ligjit të CRCA/ECPAT Shqipëri kanë përgatitur, Regjistri do të menaxhohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, i cili është autoriteti i vetëm në Shqipëri që ka për detyrë parandalimin e krimit dhe identifikimin e autorëve të krimit. Regjistri në vetvete është një Databazë të dhënash elektronike dhe fizike që mbahen, ruhen, hidhen e plotësohen nga persona të caktuar brenda Policisë, ndërsa autorët e veprës penale regjistrohen në Regjistër sapo dënimi i tyre për një nga krimet seksuale të parashikuara në Kodin Penal merr formë të prerë.

Në momentin që i dënuari del nga burgu ai/ajo kanë për detyrë që të takojë Oficerin Përgjegjës për Regjistrin në qytetin apo fshatin ku banon dhe që nga ai moment, për çdo lëvizje të tyre ata detyrohen që të njoftojnë se ku do të shkojnë, kë do të takojnë, sa do të qëndrojnë etj etj. Po ashtu të dënuarve për krime seksuale ju ndalohet me këtë ligj që t’ju afrohen më shumë sesa 200 metra mjediseve ku ka fëmijë apo adoleshentë, përfshi edhe pasjen e shtëpisë ku jetojnë në një distancë të sigurt dhe larg shkollave, kopshteve apo spitaleve. Çfarë paraqet rëndësi në ligj janë edhe dy momente të tjera kryesore: momenti i parë është detyrimi i çdo punëdhënësi për të mos punësuar, por edhe për të kontrolluar stafin e tij nëse është akuzuar apo dënuar për krime seksuale ndaj fëmijëve; ndërsa momenti i dytë ka të bëjë me vetë-deklarimin dhe vetë-regjistrimin si pedofil apo grabitqar seksual në Regjistrin Kombëtar. Sot vendet kryesore Europiane po i japin rëndësi absolute parandalimit të krimeve seksuale ndaj fëmijëve, ndaj vetë-deklarimi i jep mundësi të gjithë pedofilëve që nuk kanë kryer krime, të përfitojnë shërbime psikologjike falas, përfshi edhe ato shëndetësore siç mund të jetë vetë-krastrimi. Edhe në rastin e Shqipërisë është ndjekur e njëjta qasje dhe ne besojmë se kjo mund të zgjidhë shumë probleme që para se të ndodhë krimi.

 

Iconstyle: Kush do ta hartojë, cilët do të evidentohen, në ç’mënyrë, kush do ta përdorë?

Altin Hazizaj: Ligji është tashmë i hartuar. Nisur nga periudha e shtetrrethimit të vendosur gjatë periudhës Mars-Maj, të gjithë ekspertët tanë ligjorë kanë punuar me orë të gjata për përgatitjen e draftit të parë të ligjit dhe në Maj ai u prezantua në një rreth të ngushtë kolegësh dhe ekspertësh të CRCA dhe partnerëve tanë më të mirë, të cilët propozuan përmirësime dhe shtesa të rëndësishme. Në muajin shtator projekt-ligji u prezantua publikisht në një takim online me pjesmarrjen e mbi 60 përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore. Për një periudhë 2 javore kemi marrë një sërë rekomandimesh, përfshi edhe aspekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me përputhjen me kushtetutën dhe standardet e të drejtave të njeriut, që duhet të ketë një ligj i tillë. Në këtë moment që në po bisedojmë, projekt-ligji është duke pritur miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë. Ai është paraqitur si nismë e deputetësh dhe besoj se nëse çdo gjë shkon sipas parashikimeve ky vit na gjen me Regjistër të miratuar.

Siç e thashë edhe më sipër, përdoruesit kryesorë të Regjistrit do të jenë punonjësit e Policisë, të ligjit, si dhe çdo institucion që punon me apo për fëmijët, pa asnjë lloj diference nëse janë publike apo private. Po në këtë kuadër në ligj është përfshirë edhe detyrimi I institucioneve shtetërore për të patur dhe zbatuar standardet më të larta të të drejtave të fëmijëve, ndër të cilat edhe politika e mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve nga dhuna, abuzimi dhe shfrytëzimi.

 

Iconstyle: Cilat janë hapat tuaj për ta konkretizuar këtë nismë? Kush po lobon në favorin tuaj, çfarë është bërë deri tani?

 Altin Hazizaj: Ne mendojmë se kjo nuk është çështje lobimi, pasi pas 22 rasteve të dhunës e shfrytëzimit seksual të fëmijëve vajzave të evidentuara vetëm gjatë vitit 2020, jam i sigurt që çdo deputet i përgjegjshëm gjendjet në vendin e fajtorit duke pyetur veten se pse nuk i miratuan më parë ndryshimet në Kodin Penal, përfshi edhe krijimin e Regjistrit. Është një përgjegjësi shumë e madhe përpara zgjedhësve kur fëmijët e tyre gjenden të pambrojtur ligjërisht dhe institucionalisht nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual. Për më tepër krimet seksuale kanë tendencën të nxisin krime të hakmarrjes, pasi nëse ka një gjë që qenia njerëzore nuk ta fal është dëmi që dikush mund t’i bëjë fëmijëve. Kështu që unë mendoj se ne jemi duke i ardhur në ndihmë fëmijëve por edhe Kuvendit në kohën e duhur, ndaj nuk besoj se do të ketë ndonjë deputet që do t’i thotë jo ndryshimeve në Kodin Penal dhe ligjit të Regjistrit.

Iconstyle:  A keni statistika të këtij krimi, ju si qendër, pavarësisht shifrave që ofron policia? A keni ndihmuar të mitur që kanë pasur këtë agresion?

 Altin Hazizaj: Shqipëria ka statistika të detajuara në lidhje edhe me dhunën seksuale ndaj fëmijëve dhe krimet seksuale ndaj tyre. Një gjë që vlen të theksohet është se fëmijët në Shqipëri deklarojnë më pak dhunë e ngacmim seksual sesa fëmijët në Bashkimin Europian, gjë që për natyrën tonë të mbyllur apo frikën që shoqëron dhunën seksuale, është mëse e kuptueshme. Sipas studimit pan-Ballkanin, BECAN, 1 në 10 fëmijë është viktimë e dhunës apo ngacmimit seksual, ndërkohë që në nivelin e BE-së ky deklarim është diku në 1 në 5 ose 6 fëmijë. Por nëse Shqipëria arrin të dënojë vetëm 42% të krimeve seksuale kundër fëmijëve, BE-ja arrin të dënojë thuajse 70% të tyre.

Gjithashtu ka një diferencë të theksuar në mënyrën sesi trajtohen rastet në vendet e BE-se krahasuar me Shqipërinë dhe kjo na shpuri që të krijojmë edhe Qendrën e parë Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Adoleshentëve nga Dhuna Seksuale (Barnahus Shqipëri) në vitin 2019. Që prej hapjes së Qendrës i kemi ofruar shërbime ligjore, sociale dhe këshillim mbi 30 rasteve të fëmijëve dhe adoleshentëve viktima të dhunës seksuale, të gjitha vajza. Nisur nga mungesa e denoncimeve nga djemtë, kemi filluar para rreth një muaji, një fushatë për ndërgjegjësimin e djemve për të raportuar çdo ngacmim apo dhunë seksuale të përjetuar, nën moton: Dhuna seksuale nuk njeh moshë a gjini! Raporto! Shpresoj që edhe në bashkëpunim me kolegët tanë në media të bëjmë të mundur ndërgjegjësimin e sa më shumë fëmijëve dhe adoleshentëve.

Iconstyle: Si reagon policia me denoncimet tuaja?

Altin Hazizaj: Në fakt duhet të themi që nga eksperienca thuajse 2 vjeçare – Policia është një institucion që në shumicën e kohës i merr jo vetëm seriozisht rastet, por edhe i ndjek me ekspertët e saj dhe sipas rastit edhe me mbështetjen tonë. Sigurisht që ka edhe raste kur një pjesë e punonjësve nuk ndjekin procedurën që duhet. Çfarë shohim ne me shqetësim ndërmjet Policisë dhe Prokurorisë psh janë analizat apo testet standarde që duhet një viktimë e dhunës seksuale të kryejë. Në Shqipëri kryhet vetëm testi i mjekësisë ligjore nëse fëmija është defloruar apo jo, ndërkohë që kudo në botë kryet edhe testi i pështymës, testi i anusit, testi i shtatëzanisë, testi i HIV/AIDS dhe testi i STD-ve – të cilat vërtetojnë jo vetëm fajësinë e autorit por edhe dënimin që ka shkaktuar tek viktima, i cili ndonjëherë mund të jetë për të gjithë jetën (në rastin e HIV/AIDS). Shpesh rrobat e viktimës nuk merren si provë materiale dhe ndaj tyre nuk kryhen teste gjenetike që mund të vërtetojnë shenja apo mbeturina biologjike nga autori i veprës penale. Të gjitha këto mungesa serioze në hetime bëjnë që më shumë se gjysma e të akuzuarve përe krime seksuale ndaj fëmijëve të dalin të lirë për mungesë provash apo të dënohen për një krim më të lehtë. Në këtë kuadër Prokuroria por edhe Policia e Shtetit kanë nevojë jo vetëm të trajnohen por të specializohen në të gjitha drejtimet e krimeve seksuale, përfshi edhe punën shkencore hetimore për mbledhjen e provave të krimit, që çalon shumë. Ndërkohë që një shqetësim i madh mbetet dëm-shpërblimi i viktimës së krimit seksual. Deri më tani, pavarësisht se prokuroria ka vite që punon në drejtim të mbrojtjes së viktimave, kemi shumë pak raste të dëmshpërblimit të tyre me vendim gjykate. Kjo i le viktimat në një gjendje të rëndë emocionale, apo edhe prindërit e tyre, pasi kanë ndjesinë që sistemi i drejtësisë nuk ka mbrojtur si dhe sa duhet interesin e tyre dhe nuk ju ka dhënë drejtësi. Këtu unë mendoj se ka nevojë për disa ndërhyrje emergjente, qoftë edhe nëpërmjet ndryshimit të ligjit procedural penal apo një ligji për viktimat. Me shumë dhimbje duhet ta pranojë se kemi një rrugë shumë të gjatë përpara, por shpresoj që fundi I këtij viti do të na gjejë me një Plan Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna Seksuale, një Regjistër Kombëtar dhe një Kod Penal që mbron fëmijët nga çdo krim seksual.

Botuar në Revistën online Icvonstyle, 30 Tetor 2020 

https://iconstyle.al/interviste-ekskluzive-altin-hazizaj-gati-ligji-krijohet-regjistri-kombetar-i-pedofileve/?fbclid=IwAR0qefR1sfZkHz-4Us_K-D4AAVOitNTHlexfo_FD2PtluJ5xQh6e7qcHUlo

 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL