CRCA dorëzon në Kuvend dhe Ministrinë e Drejtësisë propozimet për Kodin Penal për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale

CRCA dorëzon në Kuvend dhe Ministrinë e Drejtësisë propozimet për Kodin Penal për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale

Dënime më të rrepta për grabitqarët seksualë, vepra të reja penale, përfshi edhe Regjistrin Kombëtar për Krime Seksuale, si dhe zgjerim të përkufizimit të pornografisë me fëmijët.

Tiranë, 6 Qershor 2020 – CRCA/ECPAT Shqipëri dorëzoi pranë Komisionit të Ligjeve dhe Aleancës së Grave Deputete në Kuvendit të Shqipërisë, si dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë, propozimet e saj për shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal në Shqipëri. Propozimet vijnë në një kohë kur Shqipëria është përfshirë nga një skandal i madh ku një vajzë denoncoi dhunën dhe shfrytëzimin seksual nga roja i shkollës në një zonë të Tiranës.

Kjo është hera e katërt që CRCA i kërkon Kuvendit të miratojë shtesa e ndryshime në Kodin Penal mbi krimet seksuale ndaj fëmijëve. Propozimet kërkojnë të përforcojnë përkufizimet, zbatimin dhe dënimet e disa veprave penale, të cilat sjellin pasoja të rënda mbi jetën, dinjitetin dhe mirëqenien fizike dhe emocionale të viktimave.

“Ngjarja e fundit e dhunës seksuale ndaj një të miture, edhe një herë tregoi nevojën për ndryshime dhe përmirësime në Kodin Penal, të cilat ne i kemi kërkuar dhe propozuar tashmë prej vitesh” – tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri.

Këto propozime përfshijnë edhe shtimin e disa neneve të reja dhe dënimin si vepër penale për personat që shtyjnë, nxisin, mashtrojnë e manipulojnë fëmijën për të kryer marrëdhënie seksuale; komunikimin me fëmijën për qëllime seksuale etj. Në propozimet e bëra kërkohet edhe krijimi i Regjistrit Kombëtar për Krimet Seksuale, i cili ka si qëllim të parandalojë takimet midis grabitqarëve seksuale dhe fëmijëve.

Propozimet e CRCA që u dorëzuan zyrtarisht pranë Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë, forcojnë zbatimin e legjislacionit të BE-së në Shqipëri, të Konventës për të Drejtat e Fëmijës (KDF) të OKB-së etj. Po ashtu këto propozime janë në përputhje të normave dhe standarteve të legjislacionit të Këshillit të Europës (Konventa e të Drejtave të Njeriut) dhe në mënyrë të vecantë të Konventës së Lanzarote të KE-së, të ratifikuar nga Shqipëria.

 

Për më shumë info, kontaktoni:

CRCA/ECPAT Shqipëri

E-mail: crca@crca.al

 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL