CRCA Shqipëri nga sot anëtare e Sinjalit AMBER në Europë

CRCA Shqipëri nga sot anëtare e Sinjalit AMBER në Europë

Shqipëria është vendi i 23 në Europë që i bashkohet Sinjalit Amber për gjetjen e fëmijëve të humbur.

Tiranë 23 Qershor 2020 – Qendra për të Drejtat e Fëmijëve CRCA /ECPAT Shqipëri, njoftoi sot anëtarësimin në Sinjalin AMBER në Europë. Vendimi i pranimit, u morr nga fondacioni i Sinjalit Amber, që përfshin tashmë 23 shtete të Europës dhe mbi 36 organizata, ka përzgjedhur që të ketë si pjesë të saj edhe Shqipërinë.

Themeluesi i AMBER Alert Europë, Frank Hoen, e cilësoi anëtarësimin e CRCA si një moment të veçantë, duke nënvizuar se: “CRCA, jo vetëm posedon një ekspertizë unike në përpjekjen e saj për të mbrojtur fëmijët nga shfrytëzimi seksual, trafikimi dhe rrëmbimi, por edhe ka një angazhim të admirueshëm në luftën ndaj këtyre kauzave në Shqipëri”.

Me këtë anëtarësim të CRCA, Shqipëria bëhet pjesë si vendi i 23-të në një prej platformave më të mëdha dhe më të suksesshme të kërkim- shpëtimit të fëmijëve të humbur në Europë. Sinjali Amber është një sinjal që lëshohet çdo herë kur besohet se një fëmijë i humbur është në rrezik të jetës apo të shfrytëzimit seksual.

Drejtori i CRCA, Altin Hazizaj, theksoi se “Kjo arritje e Shqipërisë, tashmë si pjesë e sistemit të njohur AMBER Alert, do të mundësojë ndryshimin e veprimeve dhe protokolleve të punës në punën tonë dhe Policinë e Shtetit për të marrë në mbrojtje fëmijët e humbur!”

AMBER Alert Europë, e krijuar që në vitin 2013, është një fondacion që punon për shpëtimin e jetës së fëmijëve të humbur apo që janë në rrezik dhe të ekspozuar ndaj shfrytëzimit të të gjitha llojeve. Ajo krijon lidhjen midis organeve të zbatimit të ligjit, ekspertëve të policisë dhe qendrave kombëtare të fëmijëve të humbur, në të gjitha vendet europiane, për të identifikuar, gjetur dhe shpëtuar fëmijët e humbur kudo në Europë. Organizata kontribuon në mënyrë aktive në debatet e politikave kombëtare për shpëtimin e fëmijëve të humbur në Bashkimin Europian.

 

Për më tepër informacion, hapni linkun e mëposhtëm:

https://www.amberalert.eu/crca/

 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL