
Tiranë, 27 Dhjetor 2024 – Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) dhe CRCA / ECPAT Shqipëri nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit, duke vendosur një fokus të veçantë në mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha rreziqet dhe abuzimet në internet. Marrëveshja u nënshkrua ndërmjet Drejtorëve të AKSK dhe CRCA Shqipëri.
AKSK është një nga autoritetet përgjegjëse në nivel kombëtar në Shqipëri përgjegjës ndër të tjera edhe për sigurinë e fëmijëve në internet. Që prej krijimit të Platformës Kombëtare për Sigurinë në Internet, iSIGURT.al ka bashkëpunuar ngushtë për ndjekjen e rasteve me AKSK, por me shtimin e raportimeve të incidenteve online nga ana e fëmijëve u pa e nevojshme që kjo marrëdhënie të ngrihej në një nivel të ri bashkëpunimi.
Marrëveshja synon të: a) rrisë ndërgjegjësimin përmes fushatave edukative për fëmijët, prindërit dhe mësuesit; b) zhvillojë materiale edukative për një përdorim të sigurt të internetit nga fëmijët, prindit dhe profesionistët; c) forcojë mekanizmat për parandalimin dhe trajtimin e abuzimeve në internet; d) krijojë një mjedis të sigurt dhe mbështetës në hapësirën digjitale për fëmijët dhe të rinjtë.
“Fëmijët dhe të rinjtë sot përballen me një realitet dixhital gjithnjë e më të rrezikshëm për ta, ndaj për ta bërë hapësirën kibernetike të sigurt e të mbrojtur për ta është e nevojshme që ne të gjithë të punojmë së bashku. Të vetëm nuk do t’ia dalim dot kurrë të luftojmë dhe eliminojmë rreziqet online ndaj fëmijëve” – tha Altin Hazizaj gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.
Kjo iniciativë përfaqëson një angazhim të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme digjitale më të sigurt dhe më të mbrojtur për brezat e rinj.