
22 Shkurt 2023 – Në Ditën Europiane për Viktimat e Krimit, Rrjeti “Viktima të Mbështetura në Europë” dhe nënshkruesit e kësaj deklarate qëndrojnë në solidaritet me të gjitha viktimat e krimeve në të gjithë Evropën, pavarësisht se kush është viktima, pavarësisht se ku ka ndodhur krimi, pavarësisht shkakut.
Çdo vit, më shumë se 75 milionë njerëz bien viktima të krimeve të rënda në Bashkimin Evropian. Në Shqipëri, thuajse 17 mijë persona u regjistruan si viktima të krimit gjatë vitit 2021. Legjislacioni i BE-së, Direktiva për të Drejtat e Viktimave të vitit 2012, ka bërë një ndryshim – duke ndihmuar viktimat të trajtohen me respekt, dhe të kenë mbështetje dhe mbrojtje.
Ne mirëpresim nisma të reja të tilla siç është edhe propozimi për një Direktivë mbi Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunën në Familje, e cila do të mbronte më tej shumë nga viktimat më të pambrojtura. Megjithatë, mijëra e mijëra viktima nuk janë plotësisht të mbrojtur nga këto ligje. Mijëra njerëz nuk raportojnë kurrë as për krimet më të tmerrshme. Kur viktimat raportojnë për një krim, hasin sfida të rëndësishme dhe ankth. Në disa vende, viktimat nuk kanë mundësi të kenë mbështetje profesionale.
Në shekullin e 21-të, më të pambrojturit në shoqëritë tona duhet të merren nën kujdes. Sistemet e drejtësisë duhet të jenë të sigurta për viktimat, duke i mbrojtur ato po aq sa të akuzuarit. Kjo është arsyeja pse, ne përshëndesim angazhimin e Komisionit Evropian për të rishikuar ligjet për viktimat në BE-së dhe mezi presim që të bëhet publik sa më shpejt Direktiva e re për të Drejtat e Viktimave. Kjo është një mundësi për të transformuar mënyrën se si ne mendojmë rreth të drejtave të viktimave dhe aksesit të tyre në mbështetje, drejtësi dhe mbrojtje.
Një Direktivë e fuqishme për të Drejtat e Viktimave do të formonte një bazë të fortë për të gjitha viktimat e të gjitha krimeve, duke përfshirë për shembull viktimat e terrorizmit, viktimat me aftësi të kufizuar dhe familjet e viktimave të vrarë, që nuk janë të mbuluara nga propozimet aktuale të BE-së. Kjo do të plotësonte edhe më tej ligjet e tjera të përqendruara në grupe specifike të viktimave, duke siguruar një sistem gjithëpërfshirës për të mbrojtur dhe mbështetur çdo viktimë. Sot i bëjmë thirrje kujtdo qe të bëhemi të gjithë bashkë për viktimat dhe të mbështesim bërjen publike sa më shpejt të Direktivës së rishikuar për të Drejtat e Viktimave për të siguruar që asnjë viktimë të mos harrohet apo të mbetet pa zë.