18 Dhjetor 2015- Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri prezantoi sot gjetjet e raportit “Zhvillimi Profesional dhe Vlerësimi i Mësuesve në Shqipëri”. Ky Raport, i pari i llojit të tij në vend, sjell një panoramë të situatës aktuale të zhvillimit profesional dhe vlerësimit të mësuesve, identifikon dhe vlerëson politikat që nuk funksionojnë si edhe prezanton një sërë rekomandimesh, të cilat do të mundësojnë formimin profesional dhe cilësor të mësuesve në Shqipëri.
Në 22 vitet e fundit në kuadrin e reformës arsimore është ndërmarrë edhe reformimi i profesionit të mësuesit. Konteksti aktual i përbërë nga arritjet ende të ulta të nxënësve sipas rezultateve të studimit ndërkombëtar Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), rezultatet e maturës shtetërore, rezultatet e vlerësimit të mësuesve dhe nisma për reformim të mëtejshëm të sistemit të përgatitjes dhe vlerësimit të mësuesve janë shtysat kryesore për realizimin e këtij raporti.
Sipas gjetjeve dhe statistikave të raportit, nga 3142 mësues që i janë nënshtruar proçesit të kualifikimit për vitin 2012, vetem 93 mësues ose 2.96% e tyre kanë marrë vlerësimin maksimal. Kjo shifër rezulton akoma edhe më e ulët për vitin 2013, ku 2.53% e tyre kanë marrë vlerësimin maksimal. Bazuar në të dhënat dhe përllogaritjet e prezantuara në Raport, rezulton që vetem 37% e mësuesve në Shqipëri arijnë rezultate të larta gjatë testimit dhe kualifikimit të tyre.
Nga të dhënat për nivelin e arsimit të mësuesve, vihet re se në vitin 2011-2012 rreth 20.2% e mësueve në arsimin publik dhe 6% e mësuesve në arsimin privat janë ende me arsim të mesëm. Arsimi parashkollor ka përqindjen më të madhe të mësuesve me arsim të mesëm. Shifra 41% e edukatorëve me arsim të mesëm në arsimin publik është një tregues domethënës për cilësinë e arsimit parashkollor. Por edhe shifra 21. 8% e mësuesve me arsim të mesëm në arsimin bazë në sektorin publik është dëshmi për cilësinë e mësuesve.
Cilësia në hyrje e studentëve që përgatiten për mësues ka rreth 20 vjet që është shumë e ulët, ndërkohë që tre sistemet e vlerësimit: për fitimin e të drejtës të ushtrimit të profesionit, për zhvillimin profesional dhe vlerësimin e performancës veprojnë të shkëputur nga njëri-tjetri si dhe paraqiten pa një metodologji adeguate dhe nuk ndërtohen sipas standarteve të lendëve dhe kompetencave.
Për më tepër informacion kontaktoni : Linda Pino, Koordinatore e Koalicionit për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri, linda.pino@crca.al