Relacion: Mbledhja e Këshillit Bashkiak Tiranë 09 Prill 2013, ora 18.00-21.00

Relacion: Mbledhja e Këshillit Bashkiak Tiranë 09 Prill 2013, ora 18.00-21.00

Mbledhjen e Këshillit Bashkiak Tiranë, të datës 09 Prill 2013 e ndoqi si vëzhgues një pjesëtar i stafit të CRCA-s dhe një anëtar i grupit rinor “Lidershipi i të rinjve të Tiranës”. Vëzhguesit nuk hasën probleme për të ndjekur mbledhjen dhe patën bashkëpunimin e stafit të Bashkisë Tiranë. Paraprakisht ishte dërguar një kërkesë nga CRCA në sekretarinë e Këshillit Bashkiak për të ndjekur mbledhjen e radhës.

Ndërkohë, mbledhja e muajit Prill ishte mbledhja e dytë e zhvilluar nga Këshilli Bashkiak për vitin 2013, por e para e vëzhguar nga CRCA, pasi vëzhguesit e saj nuk janë lejuar të ndjekin mbledhjen e muajit Shkurt.

Mbledhjet e Këshillit Bashkiak, sipas ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” neni 31 pika 2 “zhvillohen si rregull, sipas përcaktimit që bën vetë këshilli, por jo më pak se një herë në muaj”, ndërkohë që Këshilli Bashkiak Tiranë kishte më shumë se një muaj pa u mbledhur. Mbledhja e mëparshme është zhvilluar në datën 28 Shkurt.

Njoftimi për datën dhe orën e mbledhjes së Këshilllit Bashkiak së bashku me axhendën e mbledhjes është bërë publik në site-n zyrtar të Bashkisë një ditë përpara organizmit të mbledhjes, më datë 08.04.2013.

Kryetari i Bashkise Tirane, z. Lulzim Basha, ishte prezent vetëm gjatë pjesës së parë të mbledhjes, në diskutimin e projekt vendimit të parë, ndërkohë më pas u zëvendësua nga zv. kryetarja znj. Jorida Tabaku, e cila ishte prezent gjatë gjithë pjesës tjetër të mbledhjes.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak u monitorua nga media dhe u transmetua live në disa stacione televizive.

Projekt-vendimet të cilat u diskutuan dhe u miratuan në këtë mbledhje sipas rendit të ditës ishin :

  1. P/Vendim; Për “Miratimin e detyrimeve financiare që rrjedhin nga granti i ofruar Bashkisë së Tiranës nga Shteti i Katarit për financimin e zbatimit të Projektit “Zgjatimi i Bulevardit verior dhe Rehabilitimin e Lumit të Tiranës” (Faza e Parë)”.
  2. P/Vendim; Për “Zbatimin e Programit të Ekonomik dhe Punësimit “Skema e Fondit të Garancisë” si dhe miratimin e kritereve dhe proçedurave për përzgjedhjen e bankës së nivelit të dytë’’.
  3. P/Vendim ; Për “Miratimin e treguesve ekonomikë dhe financiarë të Bashkisë së Tiranës dhe tavaneve përgatitore të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2014-2016”.
  4. P/Vendim; Për “Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.8, datë 12.10.2011 për “Miratimin e Strukturës organizative të aparatit të Bashkisë së Tiranës” (i ndryshuar)”.
  5. P/Vendim; Për “Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.17, datë 28.02.2013 mbi “Politikën e decentralizimit të disa kompetencave ligjore pranë organeve të Njësive Bashkiake të Tiranës si dhe një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.20 datë 30.04.2007 “Për kalimin e disa kompetencave Njësive Bashkiake dhe një ndryshim në numrin e punonjësve të Njësive Bashkiake dhe Drejtorisë së Përgjithshme Nr.1 të Punëtorëve të Qytetit” (i ndryshuar)”.
  6. P/Vendim; Për “Miratim dhënie ambjenti në përdorim Shoqatës Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar “Shpresa për Jetën”, me destinacion për Qendër Sociale”.

Në fillim të mbledhjes kryetari i Këshillit Bashkiak përcaktoi se plotësohej kuorumi i nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes, pra shumica e këshilltarëve ishin prezent në mbledhje. Të gjithë këshilltarët prezent në mbledhje ishin dakort me rendin e ditës.

Më pas u kalua në diskutimin dhe miratimin e projekt-vendimeve. P/vendimi 1 shkaktoi shumë diskutime dhe debate mes këshilltarëve të pozitës dhe opozitës. Vlen për tu theksuar se z. Basha informoi këshilltarët se projekti i lidhur me këtë pikë ka qenë publik për gjithë të interesuarit dhe aktualisht gjendet në website-in e Bashkisë. Gjithashtu z. Basha theksoi rëndësinë e miratimit të p/vendimeve vecanërisht nr. 2, 5 dhe 6 të cilët u vinë në ndihmë, të rinjve, fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuar. P/vendimi 1 u miratua me 29 vota pro, ndërkohë këshilltarët e opozitës abstenuan për të votuar këtë p/vendim. Për shkak të debateve për mosdhënien e fjalës nga ana e kryetarit të këshillit bashkiak këshilltarëve të opozitës, u kërkuan 5 minuta pushim nga kryetari, pushim i cili u zgjat në 30 minuta.

Më pas kryetari i këshillit Bashkiak shpjegoi edhe njëherë për këshilltarët praktikën dhe rregullin e zhvillimit të mbledhjes dhe dhënies së fjalës duke theksuar se pas fjalës së kryetarëve të grupeve, këshilltarët nuk kanë të drejtë fjale.

Gjithashtu p/vendimi 2 pati debate mes pozitës dhe opozitës të cilët votuan kundër tij. Ky projekt/vendim i cili nga grupi i këshilltarëve të pozitës dhe LSI u cilësua si i rëndësishëm pasi i vjen në ndihmë punësimit të të rinjve nën 35 vjeç, zhvillimit ekonomik dhe biznesit, u miratua me 29 vota pro, 3 abstenim dhe 20 kundër.

P/vendimi 3 gjithashtu shkaktoi debate mes dy grupimeve kryesore. Ky p/vendim përsëri nuk u votua nga opozita pasi sipas tyre mungonin objektivat e qartë të bashkisë për vitet e ardhshme dhe s’merrnin në konsideratë treguesit e një viti më parë. Nga diskutimet doli se këshilltarët e opozitës s’kishin qenë prezent në diskutimin e p/vendimit në komisionin e ekonomisë dhe financës. Ky p/vendim u miratua me 29 vota pro.

P/vendimi 4 përsëri nuk u votua nga opozita dhe shkaktoi debat mes dy forcave. Ai u votua me 29 vota pro dhe 19 kundra.

P/vendimet 5 dhe 6 nuk patën diskutime, por me konsensusin e grupeve kaluan direkt në miratim. P/vendimi 5 u miratua me 31 vota pro, 16 kundra dhe 1 abstenim. Ndërsa p/vendimi 6 u miratua me votat pro të të gjithë këshilltarëve.

Nga procesi i vëzhgimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak, të datës 9 Prill 2013 rezulton se:

  • Seanca e mbledhjes së Këshillit Bashkiak u vëzhgua nga 2 përfaqësues të CRCA dhe Lidershipit, me bashkëpunimin e stafit të Bashkisë Tiranë.
  • Seanca e mbledhjes së Këshillit Bashkiak u transmetua live në disa televizione, që e bën të aksesueshme nga shumë qytetarë mbledhjen e këshillit. Votimi i p/Vendimeve u bë në debat e sipër, dhe shumica e tyre nuk u votuan nga këshilltarët e opozitës.
  • E gjithë mbledhja u shoqërua me debate ndërmjet grupeve të pozitës dhe opozitës, dhe me komente të politizuara.
  • Këshilli Bashkiak ka shkelur ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” lidhur me periudhën kohore të zhvillimit të mbledhjeve, pasi mbledhja e radhës është zhvilluar pas më shumë se një muaji nga mbledhja e mëparshme.
  • Nga debatet mes këshilltarëve rezultoi se këshilltarët e opozitës kishin munguar gjatë diskutimeve të p/vendimeve në disa prej komisioneve të Këshillit Bashkiak.
  • Ekzistonte kuorumi i nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak e cila shkoi në përputhje me rendin e ditës.
  • Kryebashkiaku ndoqi pjesën e parë të mbledhjes, diskutimin e projekt vendimit të parë, ndërkohë pjesa tjetër e mbledhjes u ndoq nga zv. Kryetarja.
  • Shpesh herë komentet e këshilltarëve nuk kishin të bënin me rendin e ditës, dhe kalonin në ngjyrime politike dhe personale. Gjithashtu gjuha e përdorur nga këshilltarët në disa raste ishte joetike.
  • Disa prej Këshilltarëve nuk e kanë ndjekur gjithë mbledhjen duke u larguar më parë. Disa të tjerë tregonin hapur neglizhencën dhe padurimin për të mbaruar mbledhjen dhe për ti kaluar p/vendimet pa diskutime.
  • Të gjitha p/vendimet u miratuan por pjesa më e madhe e tyre me votat pro të pozitës dhe me votën kundër ose abstenim të opozitës.
  • I vetmi p/vendim që u miratua me votën e të gjithë këshilltarëve dhe grupeve kishte të bënte me hapjen e një qendre sociale për personat me aftësi të kufizuar.
  • Në këtë mbledhje u miratuan 3 projekt/vendime të rëndësishme që lidhen me të rinjtë, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar, përkatësisht nr. 2, 5, 6.
  • Vendime të rëndësishme për qytetarët, që prekin grupe si fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar janë kaluar direkt në miratim pa u dhënë mundësinë këshilltarëve të interesuar të diskutojnë ose argumentojnë votën e tyre pro apo kundër.
  • Shpesh herë Moderimi i seancës nga Kryetari i Këshillit nuk u respektua nga të gjithë këshilltarët dhe në disa raste Kryetari nuk u dha fjalën këshilltarëve duke e argumentuar atë.

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL