Në Ditën Ndërkombëtare kundër dhunës trupore ndaj fëmijëve, CRCA/ECPAT Shqipëri kërkon një Plan Kombëtar veprimi!

Rreth 6 muaj më parë, një 6 vjeçare u ndëshkua brutalisht nga prindi i saj. I gjithë opinion publik, policia, mjekësia, hetuesit, etj u shokuan nga gjëndja kritike dhe rreziku për jetën, që vajza e vogël përjetoi për muaj me radhë.
Të gjithë shumë shpesh kemi dëgjuar prindërit të rithonë me bindje shprehjen popullore shqiptare se “Kush të rreh të do!”.
 
Tiranë, 30 Prill 2022 –  Dënimi trupor mbetet forma më e zakonshme e dhunës ndaj fëmijëve. Shqipëria që prej vitit 2017, ka ndaluar me ligj, dhunën ndaj fëmijëve, në të cilën përfshihet ndëshkimi trupor ndaj tyre, ndërsa realiteti duket se vijon edhe sot me një pamje të ndryshme. Në ambientet e shkollave, kopshteve, parqeve të lojrave, mjediseve argëtuese, etj, shfaqen situata të dhunës trupore që fëmijët pësojnë jo vetëm nga prindërit, por edhe mësuesit, kujdestarët, bashkëmoshatarët, etj. Ndëshkimi trupor përfshin çdo dënim në të cilin përdoret forca fizike dhe synon të shkaktojë një farë shkalle dhimbjeje ose shqetësimi, sado i lehtë; si dhe forma të tjera jofizike të dënimit që janë gjithashtu mizore dhe poshtëruese.
Në nivel global, rreth 4 në 5 nga të gjithë fëmijët e moshës 2-14 vjeç i nënshtrohen çdo vit në shtëpinë e tyre (dënim fizik dhe/ose agresion psikologjik). Studimet kanë gjetur prova të forta që lidhin dënimin e dhunshëm me ndikime të shumta të dëmshme për fëmijën dhe shoqërinë, duke përfshirë kosto të konsiderueshme ekonomike.
Ndëshkimi trupor cënon të drejtën e fëmijëve për respektimin e dinjitetit të tyre njerëzor dhe integritetit fizik, si dhe të drejtat e tyre për shëndet, zhvillim, arsim dhe liri nga tortura dhe trajtime ose dënime të tjera mizore, çnjerëzore ose poshtëruese.
Në botë, vetëm 14% e fëmijëve mbrohen plotësisht me ligj nga ndëshkimi trupor. Pranimi i tij i përhapur shoqëror është një kambanë e fortë alarmi për të gjithë opinionin global.
Në vendin tonë ende nuk ekzistojnë statistika të qarta mbi numrin e fëmijëve që përjetojnë ndëshkim trupor në familje, shkolla apo mjedise të tjera kujdestarie, etj.
30 Prilli është edhe Dita Ndërkombëtare “Kundër Ndëshkimit të FËMIJËVE”, dhe në këtë ditë, CRCA/ECPAT Shqipëri kërkon marrjen e hapave seriozë nga ana e qeverisë shqiptare për tu përgjigjur në mënyrë sa më efikase ndaj situatës në vend, jo vetëm për ti dhënë fund ndëshkimit trupor të fëmijëve por edhe për të ndryshuar njëherë e përgjithmonë mentalitetin prindëror “se fëmija duhet ndëshkuar kur gabon”.
CRCA/ECPAT Shqipëri, kërkon realizimin e një Plani Kombëtar Veprimi si dhe programe Kombëtare në mbështetje të fëmijëve dhe të familjave të tyre. Ne kërkojmë që ky plan të vihet në zbatim dhe të ndihmohet nga isntitucionet qeveritare menjëherë, për të qënë në krye të luftës që Shqipëria duhet të vijojë për ta kthyer vendin në një territor pa dhunë e pa ndëshkim për fëmijët deri në vitin 2030.
Në rang global numërohen rreth 300 milionë fëmijë të moshës nga 2-4 vjeç që vuajnë dhunën dhe ndëshkimin fizik e psikologjik nga prindërit apo edhe kujdestarët e tyre. 30 Prilli vjen si një ditë, në të cilën jo vetëm jepen mesazhe ndërgjegjësimi, por edhe merren inisiativa institucionale, politike e shoqërore për ti dhënë fund ndëshkimit trupor të fëmijëve kudo.  Dita Ndërkombëtare “Kundër Ndëshkimit Trupor të Fëmijëve” është mundësia për të treguar mbështetje për të gjithë fëmijët viktima të ndëshkimit trupor dhe për të bërë thirrje për mbrojtje më të mirë dhe më të shpejtë të fëmijëve si mbajtës të të drejtave të njeriut.