CRCA/ECPAT SHQIPËRI: Jemi të shqetësuar për situatën me të cilën përballen fëmijët viktima të dhunës seksuale përsa i përket vendimeve dhe seancave të lodhshme e të pafundme në pritje të drejtësisë

Tiranë, 2 Prill 2021 – Më në fund, mbyllet me një vendim nga ana e drejtësisë shqiptare, seanca e 44 gjyqësore mbi dhunën seksuale të një vajze të mitur në rrethin e Gjirokastrës.
Pas një kalvari shumë të gjatë disa vjeçar dhe të tmerrshëm për të miturën e dhunuar dhe familjen e saj, Gjyakata e Gjirokastërs vendosi të dënojë me 4 vite burg dhunuesin e vajzës.
Ngjarja ka nisur 6 vite më parë, kur vajza ishte vetëm 8 vjeç dhe u dhunua për 3 vjet rresht nga mësuesi i saj 63 vjeçar. Në këto 3 vite, e mitura dhe familja e saj janë detyruar të paraqiten në 43 seanca gjyqësore, duke u përballuar jo vetëm me dhunuesin e vajzës, por edhe me pritjen pa fund të marrjes së vendimit nga ana e drejtësisë.
Përgjatë këtyre viteve vajza e vogël si shkak i presionit dhe reagimit që i sillte ngjarja që kishte përjetuar u detyrua që të mos ndjekë më shkollën në të cilën ishte dhunuar dhe jo vetëm e ndryshoi atë, por edhe u largua nga vendbanimi i saj.
Ndërkohë Gjykata e Gjirokastrës, nisi kalvarin e gjatë të zbërthimit ligjor të fajësisë apo jo, dhe të vënies përpara drejtësisë të fajtorit.
Një ngjarje kjo që i kushtoi shumë, jo vetëm vajzës së mitur, por edhe të gjithë familjes së saj, u mbyll me një vendim drejtësie falë edhe këmbënguljes disavjecare të avokatit të të miturës, Idajet Beqiri e cili e ndoqi historinë në të 44 seancat gjyqësore. Barnahus Shqipëri e ka mbështetur vajzën përgjatë të gjithë kësaj situate të vështire të përballjes me sistemin e drejtësisë. Ndërsa CRCA/ECPAT Shqipëri me bashkëpunimin shumë të ngushtë të Bashkisë Tepelenë, ka bërë të mundur dhënien e një ndihme financiare modeste për të mundësuar vijimin e shkollimit dhe kujdesin ndaj saj.
Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, u shpreh se: “Drejtësia ndonëse është e vonuar, duket se i ka harruar fëmijët. CRCA është e shqetësuar për situatën me të cilën përballen viktimat fëmijë të dhunës seksuale përsa i përket vendimeve dhe senacave të lodhshme e të pafund të drejtësisë shqiptare.”  

E mitura 12 vjeçare O.L, e cila sapo mori përgjigjen nga ana e drejtësisë, nuk është e vetmja vajzë që prej vitesh zvarritet bashkë me familjen në dyert e gjykatave shqiptare.  Ajo është një ndër të paktën 150 vajza e gra, që çdo vit i mbijetojnë krimeve seksuale dhe presin drejtësi, nga një sistem që arrin të dënojë vetëm 42% të krimeve seksuale!
Vetëm dy javë më parë, nga kjo situatë, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe BARNAHUS Shqipëri, i kërkoi publikisht Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, monitorimin e çdo procesi gjyqësor të fëmijëve dhe adoleshentëve, viktima të dhunës seksuale kudo në Shqipëri. 
 
Për më tepër informacion:
CRCA/ECPAT Shqipëri,
e-mail; crca@crca.al