
Tiranë 20 shkurt 2019 – Organizatat e shoqërisë civile që punojnë për parandalimin e dhunës seksuale ndaj fëmijëve, kërkuan nga Kuvendi i Shqipërisë planifikimin e një strategjie të plotë mbi mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe krimet seksuale. Në një takim të zhvilluar midis përfaqësisë së tyre dhe 2 komiteteve të Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”, ata kërkuan një angazhim rrënjësor të të gjitha hallkave kryesore të Kuvendit dhe të Qeverisë Shqiptare.
Kërkesa e përfaqësuesve të shoqërisë civile, nga CRCA dhe ACE, u fokusua në ndryshimet e Ligjeve për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, ngritjen e një Plani Kombëtar për eleminimin e saj. CRCA i kërkoi përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë përgjegjëse dhe AMSHDF që në kuadër të rishikimit të Axhendës së Fëmijëve, të përgatisin një plan veprimi 3-5 vjeçar për dhunën dhe krimet seksuale. Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE), Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe të Rinjve (CRCA) dhe Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijë ALO 116 do të nisin një proces të gjerë konsultimesh jo vetëm për të prezantuar gjetjet e tyre, por edhe për të njohur propozimet për dhunën në shkolla dhe për të marrë sugjerime për përgatitjen e Planit Kombëtar.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkuan gjithashtu organizimin e takimeve të hapura dhe gjithëpërfshirëse në shkolla. Këto takime duhet të organizohen nga vetë deputetët në të gjitha zonat e vendit me pjesëamrrje të plotë të nxënësve, prindërve dhe mësuesve për të bërë të mudnur informimin e fëmijëve mbi situatën dhe mbrojtjen nga krimet dhe dhuna seksuale.
Në këtë takim u propozua gjithashtu edhe organizimi i një fushatë kombëtare pranë Televizionit Publik Shqiptar. Kjo fushatë duhet të drejtohet nga Kuvendi, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit,Rinisë e Sporteve në bashkëpunim të plotë me shoqërinë civile. Kjo fushatë do të mundësontë ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të prindërve për dhunën dhe krimet seksuale.
Bazuar në kërkesat e CRCA për propozimet e saj në ndryshimet që duhen bërë në Kodin Penal, Kuvendi njoftoi se ka caktuar takime midis deputetëve të Komisionit të Ligjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë për të riparë ndryshimet e kërkuara dhe për përmirësimet në Ligjin e Komunikimeve Elektronike. Nga ana e tij Kuvendi i Shqipërisë kërkoi informacione më të specifikuara për situatën e dhunës dhe krimeve seksuale të fëmijëve në Shqipëri, dhe për rrugët e mënyrat e raportimit të saj.
Raportet më të fundit sjellin realitetin se në Shqipëri thuajse 12% e fëmijëvë dhe adoleshëntëve janë viktima të ngacmimeve seksuale dhe rreth 5 % e tyre janë viktima të abuzimit seksual, (studimi BECAN).
Ndërsa vetëm një muaj më parë Indeksi “Jashtë Hijeve” i liderit global The Economist Intelligence UNIT, në analizën e tij mbi 40 vende të botës, vlerësoi me zero pikë Shqipërinë për mekanizmat jofunksionalë e saj për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe dhuna seksuale.