Organizuar nga CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Barbahus Shqipëri, Forumi u fokusua tek identifikimi i problemeve sistemike në raportimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve

Tiranë, 30 Qershor 2020 – Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Dhuna Seksuale (Barnahus Shqipëri) dhe CRCA/ECPAT Shqipëri, mikpritën sot në mëngjes Forumin Kombëtar Online: “Të luftojmë dhunën seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri”. Shqipëria ndonëse ka bërë përparime në respektin e të drejtave të fëmijëve, përsëri institucionet dhe shërbimet janë thuajse totalisht të papërgatitura për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët nga dhuna seksuale. Forumi u organizua në përgjigje të ngjarjes së rëndë të dhunës seksuale ndaj një vajze 14-vjeçare në Tiranë.  
Në fillim të muajit Qershor, Shqipëria u trondit sërish nga dhuna seksuale e ushtruar ndaj një vajze 14 vjeçare nga një grup pedofilësh, të cilët madje e kërcënonin vajzën me materiale filmike. Ky rast i parapriu rasteve tjera të ngjashme në Fier, Tepelenë, Kavajë, duke u kthyer në një këmbanë alarmi për të gjitha institucionet, organizatat dhe shoqërinë shqiptare.
Studimi më i fundit i CRCA/ECPAT Shqipëri, tregoi se fëmijët nën moshën 14 vjeç janë viktimat kryesore të krimeve seksuale, nga ku 83% e tyre janë vajza. Studimi i BECAN (viti 2013) tregoi se të paktën 1 në 10 fëmijë në Shqipëri është viktimë e dhunës dhe ngacmimit seksual.
Forumi, pati si folës kryesore deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Shëndetësië dhe Ministrisë së Drejtësisë, Avokaten e Popullit, Agjensinë Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve, Policinë e Shtetit,  përfaqësues të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve dhe të organizatave kryesore të shoqërisë civile.
Diskutimet kryesore u folusuan tek mangësitë që kanë sistemet e mbrojtjes së fëmijëve, të zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë, për identifikimin, raportimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës seksuale kundër fëmijëve në Shqipëri. Në forum u trajtua me forcë nevoja e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile me qëllim trajtimin në mënyrë sa më efikase të rasteve të abuzimit seksual dhe koordinimin e punës për ofrimin e mbështetjes institucionale dhe profesionale për fëmijët që i mbijetojnë dhunës seksuale. Forumi kërkoi ndër të tjera edhe të identifikojë burime mbështetëse për shërbimet e sektorëve të ndryshëm për mbrojtjen dhe rehabilitimin e fëmijëve viktima të dhunës seksuale dhe familjeve të tyre.
Forumi Kombëtar “Luftojmë së bashku kundër Dhunës Seksuale ndaj Fëmijëve” përkon me hapjen e lëvizjes kombëtare #NEJEMI1 për mbrojtjen dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve, familjeve dhe shoqërisë, mbi raportimin dhe denoncimin e dhunës seksuale te fëmijët, por edhe për ndryshimin e normave shoqërore që pranojnë të heshtin para tij.
 
Për më shumë info, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al


Detajet e Lajmit
June 30, 2020
411
Kategoria