Tiranë, 19 Nëntor 2021 – CRCA/ECPAT Shqipëri marshon kundër heshtjes dhe apatisë insitucionale për dhunën ndaj fëmijëve. Vetëm disa javë më parë babai dhunoi në mënyrë barbare vajzën e tij 6 vjeçare. Një tjetër vajzë 16 vjeç u dhunua seksualisht në familje, ndërsa vetëm dy ditë më parë një fëmijë 8 vjeçar tragjikisht dhunohet deri në marrjen e jetës nga komshiu i tij. Në kuadër të Ditës Ditës Botërore për Eliminimin e Dhunës dhe Shfrytëzimit të Fëmijëve, CRCA/ECPAT Shqipëri marshon në kryeqytet, për të ngritur zërin kundër dhunës ndaj fëmijëve.
Vendi ynë, po përballet çdo ditë me një dhunë të shtuar ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve. Rastet e ndodhura në vite dhe e gjithë dhuna që derdhet ndaj fëmijëve, janë tregues të kërcënimit serioz që dhuna në familje, shoqëri dhe në institucione ushtrojnë ndaj jetës e mirëqenies së fëmijës!
Në këtë situatë të rëndë që duket se ka kapluar vendin, CRCA/ECPAT Shqipëri, zgjodhi të marshojë ditën e Premte, 19 Nëntor, me një qëllim kryesor ndërgjegjësimin e prindërve, familjes, shoqërisë dhe institucioneve për të parandaluar çdo formë të dhunës ndaj fëmijëve, kudo ku ajo ndodh.
Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, nënvizoi se: ”Rastet e dhunës dhe shfrytëzimit të fëmijëve gjithnjë në rritje na detyron ne si aktorë të shoqërisë civile të bëhemi zë i bashkuar për mbrojtjen e të drejtave dhe interesit më të lartë të fëmijëve tanë. Dhuna ndaj fëmijëve tashmë është kthyer në rrezik për të marrë jetën e tyre! Nëse ne nuk reagojmë sot, nesër do të jetë shumë vonë!”
Marshimi, të cilit iu bashkua edhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, përshkoi Sheshin Skënderbej në Tiranë dhe vijoi në krah të Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar mbajtjen e përgjegjësive institucionale për sistemin e krijuar deri më tani në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, duke u ndalur së fundmi pranë godinës së Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë.
Nën zhurmën figurative të vuvuzelave dhe bilbilave, organizatat e shoqërisë civile, ngritën zërin për ata fëmijë që jo vetëm janë viktima të dhunës ndaj tyre, por që nuk gjejnë as mbështetje apo drejtësi në institucionet e këtij shteti.
Marshimi paqësor i cili u shoqërua nga “Fjongo BLU”, simboli i fushatës së CRCA/ECPAT Shqipëri përgjatë gjithë këtij muaji, merr një rëndësi të veçantë, pasi kërkon të informojë fëmijët dhe qytetarët se ku mund të raportojnë ngjarjet e dhunës ndaj fëmijëve, ku mund të kërkojnë ndihmë dhe pse dhuna është kaq e dëmshme për fëmijët.