ANYN ka riorganizuar të gjithë organet drejtuese të tij. Bordi i ri synon ta vendosë rrjetin në pararojë të mbrojtjes të të drejtat e të rinjve

Tiranë, 25 Shkurt 2022 – Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) njoftoi sot përfundimin e procesitë të riorganizimit dhe zgjedhjeve të reja, përfshi edhe zgjedhjen e Bordit Drejtues dhe presidentit të ANYN. Rrjeti për dy vitet e ardhshme do të drejtohet nga Presidentja e re, Marsela Delija, studente e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tiranës. Është hera e dytë rradhazi që ANYN zgjedh për të drejtuar të gjithë punën e tij një vajzë.
Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, është rrjeti më i madh i të rinjve, grupimeve dhe organizatave, që promovon të drejtat e të rinjve dhe çështjeve rinore në nivel local e kombëtar, përfaqëson dhe angazhon të rinjtë në hartimin e politikave në mbështetje të të rinjve dhe pjesmarrjen e tyre në vendimarrje.
Prej 3 javësh ANYN kishte hyrë në procesin e riorganizimit dhe zgjedhjeve të të gjitha strukturave dhe drejtuesve të saj. Kandidatët ishin të rinj e të reja nga universitetet e vendit dhe përfaqësuese te organizatave joqeveritare në Shqipëri.
Presidentja e sapozgjedhur, vjen nga një përvojë shumëvjeçare si themeluese e Parlamentit Rinor të Tiranës dhe aktivizmit disa-vjeçar në mbrojtjen dhe fuqizimin e të rinjve. Ajo është angazhuar pranë CRCA/ECPAT Shqipëri që në moshën 15 vjeçare, duke udhehequr përgatitjen e Raportit “Fëmijët për të Drejtat e Fëmijëve”, Samitit e Vajzave në Shqipëri dhe në shumë nisma të tjera. Në kuadër të ANYN ajo është angazhuar në projektin Youth Lab të Regional Cooperation Council. 
Zv.President i ANYN Shqipëri u zgjodh Frenki Hajdari. Me synimin e tij: “Investimi tek të rinjtë është investim në të sotmen dhe të ardhmen”, Frenki vjen nga një eksperiencë e gjatë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të të rinjve. Ai është themelues i Parlamentit Rinor Tiranë dhe është angazhuar së fundmi në projektin “Shëndeti Mendor për të Rinjtë”, të Regional Coorperation Council në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor.
Në pozicionin e Sekretares së Përgjithshme u zgjodh Nina Ahmetaj, një aktiviste me eksperiencë disavjeçare në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri.  Anëtarët e rinj të bordit vendosën edhe riorganizimin e komisioneve të ANYN, duke ndarë edhe përgjegjësitë për secilin prej tyre.
Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri  (ANYN) synon që të rrisë buxhetin rinor në nivel qëndror dhe vendor, arsim gjithëpërfshirës dhe cilësor për të rinjtë, uljen e kriminalitetit rinor, shërbime shëndetësore cilësore dhe rritjen e pjesmarrjes të të rinjve në vendimarrje. ANYN është rrjeti rinor më i madh në Shqipëri, në përbërje të të cilit janë të rinj e të reja nga grupet dhe organizatat rinore, forumet politike rinore në nivel lokal dhe kombëtar, krijuar në vitin 2015 në vijimësi të rrjetit rinor Lidershipi i të Rinjve të Tiranës (i krijuar në vitin 2012).
 
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Marsela Delija, Presidente e ANYN
Email: info@anyn.al


Detajet e Lajmit
February 25, 2022
550
Kategoria