Manifestim i shoqërisë civile në mbështetje të kuotës gjinore

Manifestim i shoqërisë civile në mbështetje të kuotës gjinore

TURP!

PARTITËPOLITIKE NUK RESPEKTUAN KUOTËN GJINORE - NUK RESPEKTUAN GRATË!

Tiranë, 20 Qershor –Koalicioni Ad Hoc i Shoqërisë Civile për Barazi Gjinore, i cili përbëhet nga një rrjet organizatash të shoqërisë civile: AWEN-Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, Koalicioni për Pjesëmarrjen e Grave dhe të Rinjve në Politikë, Rrjeti i Grave  “Barazi në Vendimmarrje”, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim dhe Shoqata për Integrimin e Zonave Informale (SHIZI), në vijim të aktiviteteve të ndërmarra përgjatë dy viteve të fundit për zbatimin e kuotës gjinore, reagoi ditën e sotme, nëpërmjet organizimit të një Manifestimi përpara selive të PD-së dhe PS-së.

Kjo për të protestuar për moszbatimin e kuotës gjinore si edhe për ndërgjegjësimin e shoqërisë për të rritur rolin dhe pjesëmarrjen e gruas në  politikë në të ardhmen.Ky aktivitet  u mbështet nga UN Women në Shqipëri.

Personalitete të njohura publike të shoqërisë civile në vend, pjesmarrës në Manifestim, u shprehën se: “Mosrespektimi i kuotës gjinore në listat për kandidatët e Kuvendit të ardhshëm të Shqipërisë nga Partitë Politike është diskriminues dhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, Konventën e OKB-së për Eleminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, Ligjin për Barazinë Gjinore në Shoqëri dhe Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shqipëri. Partitë politike bënë diferencime gjinore, përjashtuan dhe kufizuan kandidimin e barabartë të grave përkundrejt burrave. Gratë dhe vajzat anembanë Shqipërisë vazhdojnë të diskriminohen hapur. Ky diskriminim qëndron tek fakti se Kodi Zgjedhor dhe Kuvendi i Shqipërisë, si organ ligjvënës, nuk dhanë asnjë garanci ligjore se gratë patën trajtim dhe mundësi të barabarta nga ana e partive politike, ashtu si edhe burrat, për të qenë kandidate në zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore”.

Nëpërmjet këtij manifestimi u  kërkua forcimi i zbatimit të kuotës gjinore dhe rishikimi i Kodit zgjedhor.  Në Kodin e ardhshëm duhet të përcaktohet qartë se “të paktën 1 në çdo 3 emra përgjatë të gjithë listave shumë-emërore të jetë nga gjinia më pak e përfaqësuar”. Kjo është e vetmja mënyrë dhe mekanizmi i duhur sesi partitë politike në Shqipëri të garantojnë përfaqësim të denjë të burrave dhe grave në politikë.

Koalicioni Ad Hoc i Shoqërisë Civile për Barazi Gjinore, do vazhdojë përpjekjet që të gjithë së bashku të krijojmë mundësitë që gratë të jenë pjesë e politikës, sepse barazia gjinore, përfaqësimi dhe pjesëmarrja e tyre në politikë janë çështje thelbësore të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL