Zyra për mbrojtjen Ligjore, në bashëpunim me ALO 116, dhe e mbështetur nga PNUD, prezantoi për herë të parënë Shqipëri, koncept-idenë e Linjës Kombëtare e Ndihmës Ligjore Falas për Fëmijët dhe të Rinjtë e Pambrojtur. Të gjithë fëmijët dhe të rinjtë, por kryesisht fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët rom, ata të shfrytëzuar, fëmijët viktima të abuzimit dhe dhunës dhe disa nga grupet më të përjashtuara të tyre, do të kenë mundësi për të patur plotësisht një ndihmë profesionale ligjore.
Drejtori i Përgjithshëm i CRCA, z. Altin Hazizaj duke folur mbi nismën, theksoi se parimet kryesore të punës së linjës do të jenë:
Përgjigjet pa pagesë për të gjitha telefonatat e fëmijëve, 24 orë në 7 ditë në javës;
Këshillon dhe informon fëmijët për çdo problem ligjor që ata raportojnë;
Referojn çdo rast, që kërkon një zgjidhje pranë shërbimeve publike ose private të mbrojtjes së fëmijëve;
Punon për të garantuar standardet më të larta dhe profesionale në ofrimin e shërbimeve për fëmijët dhe të rinjtë;
Beson se çdo fëmijë dhe i ri, pavarësisht nga mosha dhe aftësia, gëzon të drejta të barabarta dhe është i aftë të identifikojë dhe shprehë shqetësimet;
Punon për të mundësuar pjesëmarrjen e fëmijëve;
Që prej vitit 2001 më shumë se 150 Çështje janë ndjekur nga Zyra Ligjore dhe mbi 2000 fëmijë dhe të rinj kanë përfituar nga shërbimet e saj në të gjithë Shqipërinë.
Vetëm gjatë këtyre muajve të vitit 2018 kanë qënë 112 raste përfitues të ndihmës ligjore,sociale dhe shëndetësore në Shqipëri. Nga të gjithë këta fëmijë dhe të rinj që kanë kërkuar ndihmën e tyre pranë Zyrës për Mbrojtjen Ligjore 13 prej tyre janë referuar nga linja kombëtare e këshillimit për fëmijë ALO 116, 68 raste nga organizata të komunitetit rom dhe aktivistë të tij, si dhe 4 raste të referuara nga Ambasada Pink, ndërsa të gjithë të tjerët nga CRCA.
Në Shqipëri koncepti i ofrimit të ndihmës ligjore nëpërmjet telefonit është ende i panjohur, ndaj mbështetja e PNUD dhe CRCA u përqendrua tek përgatitja e kësaj koncept-ideje dhe diskutimi i saj me institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe ekspertët e kësaj fushe.
Sipas Vjetarit-Statistikor për Çështjet e të Drejtave të Fëmijëve[1]për vitin 2016 numërohen 1919 fëmijë të denoncuar sipas llojit të veprës së kryer për krime të rënda, krim i organizuar, krime të hapura dhe krime në fushën e sigurisë rrugore. Krahasur me vitin 2015 që numërohen 1163 fëmijëve të denoncuar sipas llojit të veprës së kryer për krime të rënda, krim i organizuar, krime të hapura dhe krime në fushën e sigurisë rrugore, në vitin 2016 kemi një rritje të numrit të fëmijëve të denoncuar sipas llojit të veprës së kryer që numërohen 1919 fëmijë.
Nga zyra e PNUD-it Shqipëri, znj. Edlira Papavangjeli, si dhe Nën/kryetarja e Parlamentit Shqiptar, znj. Vasilika Hysi, theksuan jo vetëm vështirësitë që ka hasur deri më tani nisma, por edhe kërkuan mbështetje si nga organet gjyqësore ashtu edhe nga institucionet shtetërore, si dhe propozuan hapa të tjerë në ndjekje të nismës.
Mbrojtja e fëmijëve dhe e të rinjve konsiderohet një sfidë e kohëve të sotme në Shqipëri dhe më gjërë. CRCA, prej tashmë 20 vjetësh, punon për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të të rinjve në Shqipëri dhe për të garantuar të drejtën për mbrojtje ligjore për ta.
Zyra për Mbrojtjen Ligjore të Femijëve dhe të të Rinjve në Shqipëri është zyra e parë ligjore e ngritur nga një organizatë për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë pambrojtje. Ajo u ngrit nga CRCA Shqipëri dhe është një model i ndihmës ndaj grupeve më më të pambrojtura të shoqërisë. Që prej vitit 2010 ne bashkëpunojmë me ALO 116 Shqipëri dhe Ambasadën PINK, për të ofruar shërbime të integruara ligjore për të gjitha grupet në rrezik dhe në nevojë për mbrojtje.
[1]Vjetar Statistikor për Çështjet e të Drejtave të Fëmijëve 2016