Drejtuar:             znj. Albana Koçiu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

                              z.  Taulant Balla, Ministër i Brendshëm

                              znj. Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit

                              z. Ulsi Manja, Ministër a Drejtësisë

                              z. Olsion Çela, Prokuror i Përgjithshëm

Të nderuar,

Ngjarjet e ditëve të fundit të dhunës e shfrytëzimit seksual të fëmijëve në internet dhe në jetën reale, kanë kthyer në vëmendje të të gjithë shoqërisë pyetjen: a i mbrojnë institucionet fëmijët në Shqipëri nga dhuna e shfrytëzimi seksual? Situata u rëndua edhe më shumë me bërjen publike gjatë mbrëmjes së djeshme në një program televiziv të faktit se martesa e një vajze 14-vjeçare ishte kryer në xhami, sipas kanunit zakonor të fesë muslimane, gjë që është në kundërshtim të hapur me Kodin e Familjes, i cili sanksionon se martesa mund të kryhet vetëm nëse personi ka mbushur 18 vjeç.

Çështja e martesave të hershme, sidomos e vajzave, prej kohësh është evidentuar si një problem serioz për Shqipërinë. Duke qenë se ato kryhen në formën e tyre zakonore dhe jo përpara organeve të caktuara nga ligji, autoritetet e kanë të vështirë të evidentojnë numrin e vërtetë të martesave të hershme që ndodhin në Shqipëri. Sidoqoftë, kjo nuk e largon në asnjë rast përgjegjësinë e institucioneve për të mbrojtur fëmijët nga shfrytëzimi seksual dhe ekspozimi i tyre në martesave zakonore në kundërshtim me ligjin.

Vetëm gjatë këtij muaji ne jemi përballur me rastin e tre vajzave, të cilat ishin “të martuara”, njëra prej tyre që në moshën 10 vjeç. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në Shqipëri ndodhin rreth 200 martesa të fëmijëve në vit! Këto “martesa” nuk janë asgjë tjetër veçse mjete që justifikojnë dhunën dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve, sidomos të vajzave! Fenomenit i duhet vendosur emrin e vërtetë!

Policia raporton çdo vit se janë të paktën 150 krime seksuale që kryen kundër fëmijëve nga të rriturit. Të dhënat e Ministrisë së Arsimit gjatë vitit të shkuar treguan se thuajse 40% e fëmijëve vajza, nuk vazhdonin shkollën e mesme, pra e mbyllnin jetën e tyre arsimore në përfundim të arsimit të detyrueshëm 9 vjeçar. A nuk janë këto vajza një kontigjent i martesave të hershme? Çfarë bën sistemi i mbrojtjes së fëmijëve në të gjitha bashkitë e vendit për të evidentuar rastet e shfrytëzimit të këtyre fëmijëve? Ku është policia e shtetit dhe sistemi i drejtësisë kur kultet fetare martojnë fëmijët sipas kodeve të tyre kanunore duke ligjëruar dhunën dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve nga të rriturit? Po arsimtarët tanë që janë një armatë e përbërë nga të paktën 33 mijë mësues? Ku janë të gjithë këta njerëz që paguhen të gjithë nga shteti shqiptar dhe taksat tona, kur fëmijët kanë nevojë për ndihmë?

Shqipëria ka ligje të mira, siç ka edhe plot mangësi ligjore në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve. Ne jemi nënshkrues të një numri të pafund Konventash dhe aktesh ndërkombëtare. Politikat tona kombëtare për fëmijët janë të panumërta. Ne kemi institucione vendore, kombëtare, të varura e të pavarura, që kanë vetëm një detyrë: të kujdesen dhe të mbrojnë fëmijët! E çfarë vlere kanë ato kur fëmijët dhe adoleshentët vazhdojnë të mashtrohen, shantazhohen, dhunohen e shfrytëzohen, sikur të gjitha këto kapacitete njerëzore dhe institucionale të mos ekzistonin!

Roli juaj jo vetëm si politikanë, por si drejtues të disa prej institucioneve kryesore të Qeverisë dhe të shtetit shqiptar është i pazëvendësueshëm, ndaj e gjej me vlerë t’ju shkruaj këtë letër të hapur dhe t’ju rekomandoj marrjen sa më shpejt të masave të mëposhtme:

  1. Hapjen e një hetimi kombëtar për të gjitha komunitetet fetare në Shqipëri, të cilat kryejnë martesa sipas kodeve kanunore të tyre apo që kanë shkolla e konvikte, ku jetojnë fëmijë dhe adoleshentë, për të evidentuar numrin e martesave të hershme që ato mund të kenë kryer, si dhe intervistimin e fëmijëve për ngacmime apo dhunë seksuale nga ana e klerikëve apo persona të punësuar në to.

  2. Ministria Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si autoriteti përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve, duhet të udhëheqë të gjitha masat dhe veprimet për mbrojtjen e fëmijëve, kudo ku ata janë. Në këtë kuadër miratimi i Standarteve të Mbrojtjes së Fëmijëve dhe Adoleshentëve nga Dhuna dhe Shfrytëzimi, për të gjitha institucionet, organizatat dhe sektorin e biznesit, janë masa e parë dhe më e shpejtë që mund të ndërmerret, e kombinuar kjo me miratimin e kritereve bazë të shërbimeve shoqërore për fëmijët. Po në këtë kuadër reformimi tërësor i sistemit të mbrojtjes së fëmijëve është një urgjencë për t’iu përgjigjur realiteteve të reja shoqërore ku ndodhen fëmijët në Shqipëri.

  3. Ministria e Arsimit, e cila përballet me fenomenin e mos-ndjekjes së shkollës së mesme nga një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve-vajza, prej kohësh duhet të kishte treguar vëmendje për të minimizuar dhe eleminuar këtë fenomen që nxit pabarzitë gjinore dhe ushqen martesat e hershme të vajzave në Shqipëri. Ndaj në këtë kuadër, ne rekomandojmë që së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, të krijohet një Program Kombëtar për Kujdesin e Vajzave, e cila duhet të përfshijë nisma dhe veprimtari konkrete për të gjithë fëmijët-vajza që nuk duan të ndjekin arsimin, por që mund të mbështeten, aftësohen dhe fuqizohen si individë.

  4. Ministria e Drejtësisë jo vetëm duhet të bëj sa më shpejt publik Kodin e ri Penal dhe ta sjellë atë për konsultim publik, por nga ana tjetër mund së bashku me Këshillin e Lartë Gjyqësor duhet urgjentisht të nxjerrin një udhëzim të përbashkët për gjykatësit në Shqipëri në lidhje me mos lejimin e martesave nën moshën 18 vjeç si dhe dënimin sa më të rëndë të të gjitha veprave penale me natyrë seksuale, ku viktima janë fëmijët nën moshën 18 vjeç.

  5. Prokurori i Përgjithshëm në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, si institucionet kryesore të ndjekjes penale dhe të sigurisë së fëmijëve, duhet të zbatojnë qasje tërësisht të reja për mbrojtjen e fëmijëve viktima të krimit. Jo vetëm për shkak të detyrimeve që dalin nga Ligji për të Drejtat e Fëmijës dhe Kodi i të Miturve, por edhe për shkak të rritjes së numrit të veprave penale kundër fëmijëve, krijimi i Departamenteve për Krimet kundër Fëmijët si në Policinë e Shtetit ashtu edhe në Prokurori, do të mbronte fëmijët dhe adoleshentët nga krimi dhe pasojat e tij. Ndërkohë është po aq urgjente që deri në miratimin e Kodit të Ri penal, të miratoni një qarkore të përbashkët, ku të udhëzohen qartë punonjësit e policisë, OPGJ-të dhe Prokurorët për ndjekjen me prioritet të veprave penale me natyrë seksuale ndaj fëmijëve, ndërkohë që çdo fëmijë nën 18 vjeç i shfrytëzuar për prostitucion duhet të trajtohet si viktimë e krimit dhe jo si autor i veprës penale, siç ndodhi disa ditë më parë me ndalimin e dy vajzave të mitura në Durrës, të cilat u akuzuan si ushtruese të prostitucionit.

Mbrojtja e fëmijëve nuk mund të bëhet në ishuj të izoluar. Ajo është detyrë e të gjithëve. Në këtë drejtim udheheqësia dhe përgjegjësia juaj për mbrojtjen e fëmijëve, mund të nxisë çlirimin e shoqërisë nga apatia për të reaguar ndaj krimeve monstruoze që po ndodhin ndaj fëmijëve. Ne dy muaj më parë nënshkruam Paktin Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna Seksuale online dhe në jetën e përditshme. Zbatimi i Planit tashmë kërkon veprime të përbashkëta dhe të koordinuara ndërmjet të gjithë ministrive, agjensive të zbatimit të ligjit, shoqërisë civile dhe sektorit të biznesit, ndaj edhe kontributi juaj është i pazëvendësueshëm. Veproni sot! Së bashku ne mundemi!

Në emër të CRCA/ECPAT Shqipëri,

Altin Hazizaj

Drejtor Ekzekutiv


Detajet e Lajmit
January 26, 2024
821
Kategoria