DEKLARATË PUBLIKE – Tiranë, 6 Nëntor 2014
E/I Nderuar Zonjë/Zotëri,
Shoqëria Civile  ka tashmë dy ditë që është informuar, nëpërmjet medias së shkruar, lidhur me dorëzimin e projekt-buxhetit të vitit 2015 nga ana e Qeverisë në Kuvendin e Shqipërisë. Njoftimi zyrtar ka ardhur nëpërmjet Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Ermonela Felaj, e cila e ka dorëzuar projekt-ligjin për buxhëtin në Kuvend, në datë  3 Nëntor 2014.
Sipas deklaratës së saj, sektorët kryesorë që do të mbështeten nga qeveria për vitin e ardhshëm janë arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura. Ajo deklaron se qeveria dhe Parlamenti bashkëveprojnë me institucionet dhe grupet e interesit për të vendosur se si do të përdoren me sa më shumë efektivitet të ardhurat e mbledhura gjatë këtij viti, në 2015-ën. Një version i detajuar draft-Buxhetit për vitin 2015 nuk i është berë publik ende as në faqen e Kryeministrisë dhe as në atë të Kuvendit të Shqipërisë.
Ne duam të shprehim shqetësimin tonë të menjëhershëm mbi faktin që Projekt-Buxheti i Qeverisë për vitin 2015 nuk është konsultuar deri më sot nga asnjë ministri apo institucion publik me  përfaqësuesit e shoqërisë civile në Shqipëri dhe të organizatave joqeveritare, duke thyer kështu një traditë demokratike dhe pozitive të ngritur nga të dy palët pas vite të tëra pune dhe avokatësie, ku programet buxhetore të ministrive gjithmonë janë konsultuar me shoqërinë civile dhe organizatat joqeveritare, si përfaqësuese dhe mbrotjtëse të interesave dhe të të drejtave të grupeve të ndryshme shoqërore.
Për çka më sipër, organizatat që mbështesin këtë deklaratë publike në emër të shoqërisë civile në Shqipëri, i kërkojnë me forcë Kuvendit të Shqipërisë dhe ju si pjestar i saj, që të mos miratoni Projekt-buxhetin e Qeverisë për vitin 2015, pa e konsultuar me pare me shoqërinë civile, organizatat joqeveritare dhe grupet e interesit. Nisur nga eksperienca e seancave dëgjimore që u organizuan gjatë vitit të kaluar, ku ishte e pamundur që të ndryshohej Projekt-buxheti, ne kërkojmë që këtë vit të gjitha komisionet parlamentare të kenë të drejtë të ndryshojnë dhe përmirësojnë programet buxhetore të Qeverisë dhe ku mendimet e shoqërisë civile të jenë vendimtare në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, ne nuk mund të rrimë pa sjellë në vemendjen tuaj kërkesën tonë që prezantimi i Projekt-Buxhetit 2015 te mos behët në standartin formal të tij, por të përkëthehet në përqindje të GDP-së dhe sa shkon për të mbështetur çdo grup shoqëror në Shqipëri, me vemendje të posaçme fëmijët, gratë, minoritetet, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar etj.
Nisur nga sa më sipër ne do të mirëprisnim dhe jemi të gatshëm të punojmë ngushtësisht me Kuvendin e Shqipërisë dhe ju si përfaqësues të Komisioneve të përhershme parlamentare, për të arritur në një Buxhet të shtetit tonë që merr në konsideratë dhe respekton qytetarët e saj.
Ne shpresojmë në mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj.
Sinqerisht,
Organizatat mbështetëse të kërkesës

“Agjensia Rajonale  Zhvillimit Vlore”/ ARZHV
Ambasada PINK
ARSIS
AWEN- Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri
Epoka e Re Fier
Fondacioni “Harriet Martineau”
FSHDPAK – Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar
Instituti i Kërkimit Urban
Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri
Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Në Dobi të Gruas Shqiptare
Observatori për të Drejtat e Fëmijëve
Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim
Qendra per Ndryshim/ Change Centre/ Vlorë, Shqipëri
Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës
Res Publica
Rinia në Sipërmarrjen e Lirë, Kukës
Roma Active Albania
SEEP – Social Education & Environment Protection VLORË
Shoqata Ndihmoni Jetën
Shoqata Qëndistaret
Shtëpia e të Drejtave të Njeriut / CRCA Shqipëri
Të bashkuar pro kauzës LGBT
Tirana Legal Aid Society, TLAS
Unioni Amaro-Drom

Drejtuar:
Z. Ilir Meta – Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë
Z.  Erion Braçe – Kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat 
Z. Fatmir Xhafaj – Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
Znj. Albana Vokshi – Kryetare e Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë   
Znj. Vasilika Hysi – Kryetare e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut
Olta Xhaçka – Kryetare e Nënkomisionit për Çështjet e të Miturve, Barazisë Gjinore, Dhunës në Familje
Z. Gramoz Ruçi – Kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së
Z. Edi Paloka – Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së
Z. Petrit Vasili – Kryetar i Grupit Parlamentar të LSI-së
Z. Fatmir Mediu – Kryetar i Grupit Parlamentar të PR-së
Z. Shpëtim Idrizi – Kryetar i Grupit Parlamentar të PDIU-së


Detajet e Lajmit
November 6, 2014
229
Kategoria