Tiranë, 5 Shkurt 2015 –Kuvendi i Shqipërisë në Seancën Plenare të datës 28 Janar, miratoi projekt-vendimin “Për miratimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore”.
Koalicioni për Pjesmarrjen e Grave dhe të Rinjve në Politikë përshëndet ngritjen e tij për shkak të rëndësisë që ka reforma zgjedhore për Shqipërinë, ndër detyrat e të cilit do të jetë edhe hartimi i amendamenteve për ligjin zgjedhor, si dhe trajtimi i rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODHIR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe ato vendore të vitit 2015.
Koalicioni, prej kohësh ka kërkuar ngritjen e Komisionit për Reformës Zgjedhore, i cili do të bënte të mundur ndryshimet në Kodin Zgjedhor të lidhura me vendosjen e një kuote gjinore në nivel kombëtar.
Sidoqoftë, ajo që vihet re dhe që përbën një shqetësim publik por edhe kombëtar, është diskriminimi i hapur që Kuvendi i Shqipërisë dhe partitë parlamentare vazhdojnë ti bëjnë grave dhe vajzave deputete në kuvend, duke I përjashtuar ato nga pjesmarrja e barabartë në komisione të rëndësishme dhe vendimmarrësve. Në përbërjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore nga 10 anëtarë, 9 janë burra dhe vetëm 1 është grua. Komisioni drejtohet nga 2 bashkë-kryetarë burra.
Koalicioni për Pjesmarrjen e Grave dhe të Rinjve në Politikë shpreh keqardhjen e tij për përfaqësimin e pabarabartë gjinor si në përbërjen ashtu edhe kryesimin e këtij Komisioni. Pabarazia burrë-grua në përbërjen e Komisionit do të ndikojë në Reformën Zgjedhore, e cila mund të mos reflektojë plotësisht perspektivën gjinore, kërkesat dhe pritshmërite e grave shqiptare, që përbëjnë edhe 50% të votuesve në Shqipëri. Vendimi më i fundit i Kuvendit, tregon se ende jemi larg arritjes së barazisë së vërtetë burrë-grua në proceset dhe vendimmarrjen politike në vend.