
Tiranë, 17 Dhjetor 2019 – Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, hedh poshtë dekretin e Presidentit mbi Ligjin “Për Rininë”. Kuvendi i Shqipërisë, vendosi dje në një mbledhje të komisionit përkatës kalimin e këtij ligji.
Me 14 vota pro dhe vetëm dy vota kundër, votat e dy përfaqësuesve të opozitës, Fatjona Dhimitri dhe Erjon Piciri, dekreti i Presidentit u rrëzua, për ti lënë rrugë të lirë aprovimit të ligjit.
Ligji “Për Rinië”, u miratua më 4 Nëntor 2019 nga Parlamenti i Shqipërisë dhe më pas iu kalua institucionit të presidencës për dekretim. CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Rrjeti Kombëtare për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN), si të vetmet organizata që ndoqën hap pas hapi të gjithë procesin e diskutimit dhe miratimit të projektligjit, ju drejtuan Parlamentit duke kërkuar rishikimin e tij dhe përmirësimin serioz, pasi ky ligj shfaqte problematika thelbësore.
Pas aprovimit nga deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, CRCA, i kërkoi publikisht Presidentit të Republikës që ta kthente mbrapsht ligjin duke shpresuar se ky hap do të sillte një rishikim të tij dhe përfaqësim të të gjithë të rinjve në të.
Pas kësaj kërkese, dhe pas shqyrtimit të bërë Presidenti i Republikës vlerësoi se ligji binte në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe fryma e tij nuk përputhej me interesat reale të të rinjve shqiptarë, gjë kjo që e sillte ligjin edhe në kundërshti të interest publik e kombëtar. Bazuar në këto arsye, dy javë më parë, më dt. 25 Nëntor 2019, Presidenti i Republikës nuk e dekretoi ligjin “Për Rininë”.
CRCA/ECPAT Shqipëri, vijon të kërkojë reflektimin e gjerë të politikës shqiptare për mospërdorimin e kartonave partiakë, kur bëhet fjalë për përfaqësimin e mbi 681,548 të rinj e të reja të moshës 15-29 vjeç në Shqipëri.
CRCA/ECPAT Shqipëri, do të vazhdojë përpjeket e saj, për të informuar të gjithë të rinjtë, mbi njëanshmërinë dhe shkeljet që ka ky ligj.
Ne do të vijojmë kontaktet tona me delegacionin e BE-së, Ambasadën Amerikane në Shqipëri dhe çdo përfaqësi tjetër diplomatike në vend, për t’i shprehur shqetësimin jo vetëm për përmbajtjen dhe format e miratimit të këtij ligji, por edhe për tendencën e vazhdueshme të mazhorancës parlamentare për të mohuar dhe shkelur të drejtat e të rinjve në Shqipëri.
PËR TË RINJTË! ME TË RINJTË! NGA TË RINJTË!