Tiranë, 21 Janar 2024 – Grupi Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” i Kuvendit të Shqipërisë dhe iSIGURT.al organizuan së bashku sot në mëngjes një seancë të hapur dëgjimore kushtuar sigurisë dhe mbrojtjes së fëmijëve dhe grave në hapësirën kibernetike. Pjesë e seancës u bënë përfaqësuesit e ministrive kryesore dhe institucioneve përgjegjëse për sigurinë kibernetike, deputetë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Në hapje të seancës dëgjimore, z. Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri falënderoi Kuvendin e Shqipërisë dhe në mënyrë të posaçme Grupin Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” për hapësirat që ka krijuar për shoqërinë civile për të sjellë në vëmendjen e deputetëve çështje të rëndësishme për mbrojtjen e fëmijëve, por edhe vajzave e grave.
Seanca më pas mori në shqyrtim dy raporte të përgatitura nga iSIGURT, i pari në lidhje me incidentet e raportuara nga fëmijët dhe adoleshentët përgjatë vitit 2023, ndërsa raporti i dytë prezantoi gjetjet dhe rekomandimet në lidhje me misogjeninë dhe gjuhën e urrejtjes ndaj vajzave dhe grave në Shqipëri përgjatë viteve 2018 – 2023.
Seanca u organizua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Internet të Sigurt si dhe fushatës së avokatësisë që CRCA/ECPAT Shqipëri është duke zbatuar si pjesë e Rrjeti i Monitorimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore për zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të CEDAW dhe GREVIO për Shqipërinë, të mbështetur nga UN Women and SIDA.
Deputetët Xhixho, Xhupa, Tahiraj dhe Vasili, në fjalën e tyre e vunë theksin në një angazhim më të gjerë të institucioneve publike për të mbrojtur dhe informuar fëmijët, gratë dhe vajzat nga rreziqet me të cilat përballen online, ndërkohë që është bërë e domosdoshme miratimi i ligjeve të reja, ku me urgjencë duhen miratuar ndryshimet e propozuara nga CRCA/ECPAT Shqipëri në Kodin Penal.
iSIGURT.al – Platforma Kombëtare për Sigurinë në Internet e CRCA/ECPAT Shqipëri, prej vitesh udhëheq, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përgjegjëse, shoqërinë civile dhe industrinë e internetit dhe atë të komunikimit, përpjekjen për mbrojtjen më të mirë të fëmijëve dhe adoleshentëve nga rreziqet kibernetike.
Në vijim të seancës të gjithë deputetet e pranishëm firmosën Paktin Kombëtar kundër Dhunës ndaj Fëmijëve. Qëllimi i paktit është të promovojë një bashkëpunim sa më të ngushtë ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile dhe industrisë për të bërë të mundur krijimin e një hapësire dixhitale ku çdokush është i mbrojtur dhe i sigurt.
Për më shumë info, kontaktoni:
iSIGURT.al
E-mail: isigurt@crca.al