![](https://www.crca.al/wp-content/uploads/2022/10/IMG_7330.jpg)
Tiranë, 13 Nëntor 2013- Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri – CRCA, prezantoi sot në seancen e parë publike me shoqërinë civile në këtë legjislaturë të Kuvendit, të organizuar nga Komisioni për Çështjet Ligjore si dhe Komisioni për Çështjet Sociale, rekomandimet e saj në lidhje me dhunën ndaj fëmijëve dhe hapat legjislative që parlamenti mund të ndërmarrë për të parandaluar këtë fenomen. Kjo seancë unikale, për shkak sepse organizohet për herë të parë në këtë formë, solli së bashku deputetët, përfaqësues të shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare, përfaqësues të qeverisë, të institucioneve të pavarura të të drejtave të njeriut.
“Kam bindjen se modernizimi, emancipimi dhe evropianizimi i shoqërisë sonë, nis nga garantimi i të drejtave themelore të fëmijëve në përgjithësi dhe atyre në vështirësi në veçanti” u shpreh Kryetari i Kuvendit në fjalët përshëndetëse të seancës dëgjimore. Ai shprehu mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë për të bërë çdo përpjekje në përmirësimin e legjislacionit procedural, penal dhe civil në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.
Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj vlerësoi se ky takim “është një qasje e re e Kuvendit të Shqipërisë, Komisioneve të Përhershme Parlamentare në bashkëpunim me grupet e interesit dhe shoqërinë civile për të bërë hapat e duhur në këtë çështje sensitive të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.” Kryetarja e Komisionit për Çështjet Sociale, Albana Vokshi falënderoi për pjesëmarrjen e gjerë në punimet e këtij takimi ndërsa e cilësoi këtë prezencë si “dëshmi të rëndësisë që i jepet çështjes së fëmijëve dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre si një prioritet”.
“Sot Shqipëria ka nevojë për një qëndrim të ri ndaj mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve” u shprehDrejtori Ekzekutiv i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Z. Altin Hazizaj. Ai theksoi se megjithëse janë bërë një sërë arritjesh në këtë drejtim sërish mbetet ende shumë punë për t’u bërë qoftë në legjislacion, institucione dhe politika nëdrejtim të parandalimit të dhunës ndaj fëmijeve. Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Z. Detlef Palm theksoi, “Si prindër ne sakrifikojë për të siguruar shëndet të mirë, arsim dhe mbrojtje për fëmijët tanë. Çfarë është e mirë për fëmijët tanë, është e mirë për të gjithë fëmijët. Kur prindërit janë të varfër ose dështojnë, shteti ka detyrimin për të siguruar që fëmija ka të gjitha mundësitë. Kjo është ajo që Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës”.
Rekomandimet që janë paraqitur sot nga CRCA kanë si qëllim të propozojnë ndryshimedhe përmirësime në qasjen që ka Parlamenti dhe qeveria shqiptare perkundrejt fëmijëve. Rëndësi shumë të madhe CRCA i ka dedikuar:
miratimit të projekt-ligjit për mbrojten nga dhuna të fëmijëve;
vendosja në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë të Raportimit te detyrueshem për Agjensinë Shtetërore për të Drejtat e Fëmijës dhe çdo agjensi tjetër shtetërore që ka për detyrë të kujdeset për fëmijët, përfshirë dhe ministritë përkatëse;
Mbështetjen e Kuvendit për vazhdueshmërine e Kaukusit për të Drejtat e Fëmijës, i cili tashme do të ketë një emer të ri: Grupi i Deputetëve për të Drejtat e Fëmijëve – në vijueshmëri të traditës pozitive të ngritur dhe në vijim të Aleanca së Grave Deputete;
Miratimin e Rezolutës për të Drejtat e Fëmijëve; e) Krijimin e një Komisioneri të ri për të Drejtat e Fëmijës pranë zyrës së Avokatit të Popullit. Në fund të seancës dëgjimore u miratua në parim Rezoluta për Mbrojtjen dhe Respektimin e të Drejtave të Fëmijëve.