
Tiranë, 10 Prill 2013 – Lidershipi i të Rinjve të Tiranës dhe CRCA realizuan ditën e sotme një takim me Kryebashkiakun e Tiranës, z. Lulzim Basha.
Lidershipi i të Rinjve të Tiranës (LRT) është një grupim rinor i forumeve politike dhe organizatave rinore në Tiranë, për të ndërmarrë iniciativa të përbashkëta në interes të të rinjve pavarësisht ndasive e bindjeve politike e organizacionale.
Qëllimi i takimit ishte dorëzimi dhe prezantimi i kërkesave të Manifestit Rinor kryetarit të Bashkisë nga vetë të rinjtë e grupit rinor Lidershipi i të Rinjve të Tiranës. Manifesti Rinor është një prej iniciativave më të fundit të LRT që përmban fushat më problematike për të rinjtë dhe kërkesat e tyre për secilën fushë drejtuar qeverisjes lokale dhe asaj qëndrore.
Gjatë këtij takimi Kryetari i Bashkisë u njoh me kërkesat e Manifestit Rinor, me qëllimin e funksionimit të grupit rinor Lidershipi i të Rinjve të Tiranës, me disa sugjerime për përmirësimin e transparencës dhe punës së Këshillit Bashkiak dhe Bashkisë Tiranë në funksion të të Rinjve si edhe iu kërkua bashkëpunimi në realizimin e procesit të Vlerësimit të Komunitetit për Qeverisjen me fokus të rinjtë e Tiranës.
Kryebashkiaku shprehu angazhimin e tij për të bashkëpunuar me grupin rinor Lidershipi i të rinjve të Tiranës si një grup i fokusuar tek qëllimi i përbashkët në interes të të rinjve pavarësisht bindjeve politike.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës njohu grupin rinor me disa nga iniciativat që ka ndërmarrë Bashkia e Tiranës në interes të të rinjve, veçanërisht të lidhura me punësimin rinor, kartën e studentit dhe portalin e punësimit online. Gjithashtu ai përmendi punën që është bërë në drejtim të familjes dhe fëmijëve, barazisë gjinore dhe diversitetit përmes vendosjes së një punonjësi për të drejtat e fëmijëve pranë çdo minibashkie, dhe ngritjen e sektorëve të barazisë gjinore dhe diversitetit pranë Bashkisë Tiranë.
Pasi iu bënë prezent vështirësitë që CRCA dhe LRT kanë hasur herë pas here për të ndjekur si vëzhgues mbledhjet e Këshillit Bashkiak , z. Basha tha: “dera e Bashkisë do të jetë gjithmonë e hapur për pjesmarrjen e një përfaqësuesi tuaj në mbledhjet e Këshillit Bashkiak duke qenë se për momentin nuk ekzistojnë hapësirat fizike për më shumë pjesmarrje”.
Gjithashtu ai shprehu hapur vullnetin e mirë për të bashkëpunuar në realizimin e procesit të Vlerësimit të Komunitetit për Qeverisjen me fokus të rinjtë e Tiranës, si një proces që u vjen në ndihmë të dyja palëve dhe krijon ura diologu mes të rinjve dhe Bashkisë.