Kuvendi ende pa asnjë zgjidhje për mbrojtjen e fëmijëve nga krimet dhe grabitqarët seksualë në internet! CRCA dhe Facebook bien dakord të punojnë së bashku për mbrojtjen e fëmijëve në FB dhe Instagram

Tiranë, 5 Shkurt 2019 – Shqipëria pavarësisht masave që ka ndërmarrë për mbrojtjen e fëmijëve, në Ditën Ndërkombëtare të Internetit të Sigurt, rezulton se është një ndër vendet me internetin më të pasigurtë në Europë!
Raporti i 1-rë Kombëtar për Sigurinë në Internet të Fëmijëve në Shqipëri, tregon se fëmijët dhe të rinjtë janë plotësisht të pasigurtë dhe të pambrojtur nga Ligji dhe institucionet publike, gjatë navigimit të tyre në internet. 
Grabitqarët seksualë nuk presin! Ata janë në kërkim të viktimës së tyre të rradhës në internet!
Gjatë dy viteve të fundit janë evidentuar më shumë se 200 raste që kanë denoncuar në platformën kombëtare www.ISIGURT.al, një numër ky që tregon se numri i fëmijëve dhe i të rinjve që bien viktima të bulizmit, vjedhjes së identitetit, ngacmimeve e dhunës seksuale në internet, pornografisë po rritet nga viti në vit.
Duke analizuar shumicën e rasteve të raportuara pranë platformes www.ISIGURT.AL, rezulton se femijët janë tërësisht të ekpozuar ndaj këtyre rreziqeve për shkak të mangësive që ka Kodi Penal për ndjekjen penale të grabitqarëve seksualë. Pjesa më e madhe e rreziqeve që i’u kanosen fëmijeve në internet nuk janë të parshikuara në Kodin Penal. CRCA Shqipëri që në vitin 2016 ka propozuar 12 shtesa në Kodin Penal për ndryshimin dhe përmirësimin e tij në këtë kuadër. Këto mungesa ligjore i krijojnë pedofilëve hapësira ligjore për të abuzuar dhe shfrytëzuar fëmijët seksualisht në internet.
Megjithatë, përpjekjet për mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve në internet nuk kanë munguar tërësisht!Shqipëria, falë bashkëpunimit të shkëlqyer të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes Sociale dhe Ministrisë së Arsimit, dhe mbështetjes së CRCA Shqipëri, ka një Plan Kombëtar Veprimi për Sigurinë në Internet të fëmijëve. Ndërkohë, në Tetor 2018, pas një përpjekje intensive dy vjeçare të CRCA Shqipëri u bë e mundur hapja e Qendrës Kombëtare për Internet të Sigurt, që ka si mision të saj bërjen e internetit të sigurt për këdo, sidomos për fëmijët dhe adoleshentët. Së fundi, Facebook dhe CRCA Shqipëri kanë rënë dakord që të punojnë së bashku për të mbrojtur fëmijët në Facebook dhe Instagram.
Përsa më sipër, më anë të kësaj deklarate publike CRCA Shqipëri kërkon nga institucionet ligjbërëse dhe ligjzbatuese sa më poshtë:

Kuvendi i Shqipërisëtë miratojë me proçedurë të përshpejtuar të gjitha ndryshimet e propozuara nga CRCA Shqipëri dhe Rrjeti Kombëtar “Vepro për Fëmijët” për përmirësimin e menjëhershëm të Kodit Penal për mbrojtjen e fëmijëve dhe të të rinjve nga dhuna seksuale, ngacmimet, pedofilia, pornografia dhe shfrytëzimi në internet!
Rritja e Buxhetit për Arsimin në Shqipëri në të paktën 5% të PBB. Rritja e investimeve në arsim do të mundësonte trajnimin, fuqizimin e mësuesve, të punonjësve të shërbimit psiko-social, prindërve dhe nxënësve mbi bulizmin, si dhe krijimin e programeve për mbrojtjen dhe ndërgjegjësimin e tyre;
Rekomandohet që Policia e Shtetit të krijojë një drejtori të veçantë për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga krimet kibernetike, me prezencë në të 12 qarqet e vednit, pasi jeta virtuale dhe krimi në të janë kthyer në një realitet që nuk mund të neglizhohet më;
Miratimi i VKM-sëpër Internetin e Sigurtnë Shqipëri.

Dita Ndërkombëtare e Internetit të Sigurtë shërben edhe si një moment për të ndërgjegjësuar opinionin e gjerë për pasojat që vijnë nga përdorimi i internetit në mënyrë të pasigurt.
Thirrja jonë kryesore për fëmijët dhe prindërit është: RAPORTO! Platforma www.ISIGURT.alështë ‘online’, por njëkohësisht kushdo mund të marr në telefon falas edhe pranë Linjës Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë ‘ALO 116-111’ për të denoncuar raste të tilla ose pranë Policisë së Shtetit.
 


Detajet e Lajmit
February 5, 2019
403
Kategoria