CRCA/ECPAT Shqipëri: Qeveria të mbyllë urgjentisht të gjithë institucionet rezidenciale të përhershme për fëmijët!

CRCA/ECPAT Shqipëri: Qeveria të mbyllë urgjentisht të gjithë institucionet rezidenciale të përhershme për fëmijët!

Kuvendi i Shqipërisë duhet të krijojë menjëherë një komision hetimor për të gjitha rastet e dhunës dhe shfrytëzimit seksual në këto institucione!

Tiranë, 2 Tetor 2019 - CRCA/ECPAT Shqipëri është thellësisht e shqetësuar në lidhje me rastin më të fundit të dhunës seksuale dhe bulizmit të raportuar nga mediat ndaj një vajze 12 vjeçare, e cila ishte nën kujdesin e Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli”në Tiranë, përgjatë disa viteve, kohë kjo kur sipas mediave ka ndodhur bulizmi dhe dhuna e raportuar nga vetë vajza.

Emisioni investigativ Fix Fare në Top Channel, prej dy ditësh, ka trajtuar rastin e një vajze e cila raorton se është dhunuar seksualisht dhe ka pësuar bulizëm nga bashkëmoshatarët  e saj që qëndrojnë në rezidencën  “Zyber Hallulli”në Tiranë. Deklaratat e vajzës 12 vjeçare dhe shqetësimi i nënës së saj, intervistat e drejtuesve dhe punonjësve të këtij institucioni, prej dy ditësh shfaqen në ekran, duke na treguar jo vetëm dhunën që përsëritet e ushtrohet në të tilla rezidenca, por edhe mungesën e rregullave, standarteve dhe politikave për  mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, diskriminimi, neglizhenca dhe shfrytëzimi.

Nuk është hera e parë që Qendrat rezidenciale të përhershme të kujdesit për fëmijët jetimë dhe ata të braktisur nga prindërit biologjikë në Shqipëri, vendosen në qendër të akuzave dhe raportimeve për përdorim të dhunës fizike dhe seksuale ndaj fëmijëve. Më 19 maj 2016, CRCA/ECPAT Shqipëri, publikisht kërkoi mbylljen  e të gjitha institucioneve rezidenciale, për shkak të rasteve të përsëritura të dhunës fizike dhe seksuale në institucionet rezidenciale publike dhe private në vend. Pavarësisht kësaj kërkese institucionet zgjodhën të mos ndërmarrin asnjë veprim, ndërkohë që dhuna dhe ngacmimet seksuale ndaj fëmijëve kanë vijojnë të ndodhin, siç pasqyrohet në raportet më të fundit në media. 

Nisur nga kjo, CRCA/ECPAT Shqipëri, pas marrjes në konsideratë në mënyrë të kujdesshme të të gjithë faktorëve që nxisin, inkurajojnë apo ushqejnë dhunën seksuale ndaj fëmijëve, i ri-kërkon sot publikisht Këshillit të Ministrave dhe  Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të mbyllë një herë e përgjithmonë sistemin e qendrave rezidenciale të përhershme për fëmijët.

Po në vijim të kësaj kërkese, ne i rekomandojmë Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sa më poshtë:

1.       Kuvendi i Shqipërisë të miratojë me procedurë të përshpejtuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për të hetuar dhunën, neglizhencën apo shfrytëzimin seksual që mund t’i jetë bërë fëmijëve që kanë jetuar dhe ende jetojnë në Shtëpi të Fëmijëve (publike ose private), duke përfshirë këtu edhe dhunën historike seksuale, pra atë që ka ndodhur prej vitesh, por që ende nuk është raportuar dhe hetuar.  Viktimat e çdo akti dhune presin që shteti i tyre të tregojë përgjegjësinë maksimale në dëgjimin dhe raportimin e historive të tyre, vënien përpara përgjegjësisë të çdo abuzuesi dhe dëmshpërblimin e dëmit të shkaktuar tek ta, ndërsa kanë qenë në kujdes të shtetit shqiptar;

2.       Kuvendi i Shqipërisë duhet të miratojë me prioritet ndryshime dhe përmirësime ligjore në Kodin e Familjes dhe në ligje të tjera, që do të bënin të mundur kthimin e shërbimit të familjeve alternative në një sistem kombëtar të përkujdesjes alternative në familje për fëmijët e mbetur pa familje apo që vijnë nga familje të shpërbëra. Ky sistem duhet të përfshijë monitorimin e vazhdueshëm dhe profesional të familjeve përkujdesëse dhe mbështetjen financiare të tyre;

3.       Këshilli i Ministrave të vendosë, bazuar në një plan të qartë dhe të detajuar, mbylljen e çdo institucioni rezidencial të përhershëm të përkujdesjes së fëmijëve dhe kthimin e të gjithë shtëpive të fëmijëve në Qendra Ditore të Punës Sociale dhe Komunitare, të bashkë-administruara me organizatat e shoqërisë civile dhe të financuara nga Fondi Social i Buxhetit të Shtetit.

CRCA/ECPAT Shqipëri, vlerëson dhe përshëndet maksimalisht të gjitha përpjekjet e mediave në Shqipëri për evidentimin e rasteve të dhunës dhe shfrytëzimit seksual, si dhe të gjitha problematikave të fëmijëve që ndodhen në institucione që janë nën kujdesin e shtetit.

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL