Tiranë, 23 Mars, 2021 – Kryetarja e Komitetit të Lanzarote të Këshillit të Europës, i krijuar në zbatim të Konventës për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Abuzimi dhe Shfrytëzimi seksual , i është drejtuar fëmijëve në Shqipëri dhe në disa vende të Europës me një letër të hapur, duke i falenderuar dhe për t’i kërkuar të jenë pjesëmarrës në monitorimin dhe adresimin e sfidave që vijnë nga imazhet seksuale dhe videot e krijuara nga vetë fëmijët.
Znj. Christel De Craim, kryetare e Komitetit të Lanzarotit, njëkohësisht falenderon CRCA/ECPAT Shqipëri dhe fëmijët shqiptarë që ishin pjesë e një prej eventeve më të rëndësishme përsa i përket dhunës seksuale ndaj fëmijëve, përgatitjes së Raportit mbi monitorimin e politikave të mbrojtjes së fëmijëve ndaj dhunës seksuale në 10 shtete, përfshi edhe Shqipërinë.
Mbi 306 fëmijë nga Shqipëria, Bullgaria, Gjeorgjia, Hungaria, Italia, Portugalia, Moldavia, Serbia dhe Ukraina, kontribuan në përgatitjen e një kapitulli të vecantë në këtë raport.  Ai përmban mesazhe, video, postera të ndryshëm, të cilat janë dërguar drejt Komitetit të Lanzarote nga fëmijët nga këto vende, me fokus luftën që duhet të ndërmërret kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve. Në këto mesazhe, Komiteti ka gjetur edhe rekomandime, të cilat janë pjesë e rëndësishme jo vetëm e raportit, por edhe e politikave që duhet të ndjekin vendet anëtare të Këshillit të Europës në luftën kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve.
Përfaqësuesja e Komitetit të Lanzarotit ka ftuar fëmijët për të marrë pjesë edhe më gjerë në procesin e monitorimit të Konventës, që duhet të shërbejë si një shembull për të fuqizuar fëmijët që të flasin për tema që i prekin ata personalisht.
“Ndonjëherë njerëzit priren të harrojnë, por zëri juaj nuk duhet të heshtë: çdo fëmijë ka të drejtë të dëgjohet dhe të kontribuojë në të gjitha masat që ju prekin. Kjo është thelbësore, në mënyrë që të merret parasysh interesi më i mirë i fëmijës. Ne kemi besim te ju për të rritur ndërgjegjësimin në këtë drejtim!”-shkruan De Craim.

Konventa e Lanzarote hyri në fuqi në korrik 2010 dhe kërkon që shtetet palë të punojnë për të kriminalizuar të gjitha format e veprave seksuale ndaj fëmijëve dhe të miratojnë ligje dhe masa specifike për parandalimin e dhunës seksuale, mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen penale të autorëve të krimit. Ajo gjithashtu promovon bashkëpunimin kombëtar dhe ndërkombëtar në këto fusha.
 


Detajet e Lajmit
March 23, 2021
388
Kategoria