Tiranë 23 Maj 2016- Me kërkesë të Koalicionit për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri dhe në kuadër të javës Globale të Arsimit 2016 “Fund the Future”, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik organizoi ditën e sotme dëgjesën publike me fokus problematikat e arsimit parauniversitar në Shqipëri. Të pranishëm në seancë përpos organizatave anëtare të ACCE, ishin përfaqësues nga MAS, MF, UNICEF-Shqipëri, Save the Children dhe Soros.
Kryetari i Komisionit, Z.Pollo në fjalën e tij të hapjes e vlerësoi së tepërmi interesin e OSHC-ve në organizimin e dëgjesës publike si dhe kthimin në një praktikë të mirë të punës së këtij komisioni organizimin dhe përfshirjen në seanca dëgjimore të aktorëve të interesit.
Lida Pino-Koordinatore e Koalicionit për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri, në fjalën e saj u ndal në 3 çështje kryesore, të cilat ngjallën interes dhe pyetje për anëtarët e Komisionit. Përmirësimi i bazës ligjore për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në institucionet arsimore, konsultimi i projekt-buxhetit të MAS me organizatat e shoqerise civile, mungesa e një kanali televiziv publik dedikuar fëmijëve dhe informimit të tyre janë disa nga çshtjet të cilat ajo parashtroi në seancë.
Znj. Zela Koka, përfaqëseuese e MEDPAK, ngriti shqetësimin rreth mungesës së mësuesit ndihmës në shkollat e frekuentuara nga nxënësit me aftësi të kufizuara, mos funksionimi i komisioneve multidisiplinare mungesa e transportit falas dhe vonesat në rimburimin e teksteve mësimore. Ajo i kërkoi përfaqësuesve të MAS se një rritje e buxhetit për fëmijët me AK ndikon drejt për së drejt në sigurimin e arsimit gjithëpërfshirës për ta.
Për herë të parë në Komisionin për Edukimin dhe mjetet e Informimit Publik, u bë e mundur dëgjimi i zërit të fëmijëve nëpërmjet nxënësit Henri Drinjak. Ai i parashtroi anëtarëve të Komisionit, një përmbledhje të rezultatit të votimeve të nxënësve, të cilët morën pjesë në fushatën e Javës Globale të Arsimit “Voto për Arsimin” 2015. Mësues të kualifikuar dhe arsimin pmrkatës, tekste mësimore cilësore dhe të përshtatshme pmr realitetin shqiptar, si dhe plotësimi i laboratorëve me mjete didaktike ishin disa ndër shqetësimet kryesore të cilat kërkojnë vëmendje më të madhe nga institucionet përkatëse.
Buxheti i Shtetit për Arsimin, ishte një ndër çështjet, e cila krijoi shumë debate në komision. Përfaqësues nga MAS dhe MF deklaruan se për vitin 2017 në total buxheti i shtetit për arsimin do të kapë shifrën 3.3 % të GDP. Një shifër kjo që do të vazhdojë të rendisë Shqipërinë ndër vendet e fundit në rajon për nivelin e investimeve në arsim si dhe bie ndesh me detyrimin e shtetit në marjen e masave të duhura në garantimin e aksesit në arsim publik cilësor dhe gjithëpërfshirës për të gjithë.[1] Të njëjtin shqetësim ndanë edhe përfaqësues të Save the Children në Shqipëri dhe UNICEF.