Tiranë, 13 Shtator 2024 – Komisioni Parlamentar për Mjetet e Informimit Publik dhe Edukimin në Kuvendin e Shqipërisë dhe CRCA/ECPAT Shqipëri ranë dakord që të punojnë më afër së bashku për të rritur bashkëpunimin në drejtim të çështjeve që kanë të bëjnë me fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri, sigurinë kibernetike, aksesi në arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, buxheti i arsimit, si dhe ligji i rinisë.

Të githa këto çështje u diskutuan në takimin ndërmjet Drejtorit Ekzekutiv të CRCA/ECPAT Shqipëri z. Altin Hazizaj, me kryetaren e re të Komisionit Parlamentar, znj. Ina Zhupa. “Ne besojmë se ardhja juaj në krye të këtij komisioni tepër të rëndësishëm të Kuvendit të Shqipërisë, do të forcojë llogaridhënien e institucioneve publike përkundrejt Kuvendit dhe qytetarëve, së bashku me nisma të tjera që nxisin rolin monitorues dhe kontrollues të Kuvendit dhe komisioneve të tij.

Ne emër të CRCA Shqipëri, z. Hazizaj i uroi Kryetares së re të Komisionit suksese në detyrën e saj të vështirë, në një komision që sjell së bashku median, arsimin dhe rininë, ndërkohë që edhe mbrojtja e fëmijëve në këto sektorë ndërlidhet ngushtësisht me punë ne tyre. Gjatë takimit u diskutua mbi mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike të fëmijëve dhe shqetësimet që iSIGURT.al ka raportuar në lidhje me mungesën e mbrojtjes së fëmijëve në hapësirën dixhitale.

“Ky Komision luan një rol thelbësor në shumë drejtime kritike për jetën e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri. Ndaj ne besojmë se nën drejtimin tuaj ky Komision do të mbështesë nismat për fuqizmin e legjislacionit për mbrojtjen e fëmijëve në hapësirën kibernetike, ligjin për rininë, rritjen e buxhetit të shtetit për arsimin, si dhe forcimin e monitorimit të punës së institucioneve për fëmijët dhe të rinjtë.” – tha gjatë takimit Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri.

CRCA/ECPAT Shqipëri që prej krijimit të saj ka në qendër të vemendjes forcimin e institucioneve publike dhe veçanërisht Kuvendit të Shqipërisë për përmirësimin e legjislacionit dhe politikave që ndikojnë në jetën e fëmijëve dhe të rinjve. Në vitin 2013, Kuvendi i Shqipërisë dhe CRCA bashkëpunuan në krijimin e Grupit Parlamentar për të drejtat e fëmijëve, i cili vijon të kontribuojë në avokatësinë për të drejtat e fëmijëve ndërmjet deputetëve në Kuvend.

Gjatë muajit shtator-tetor, Komisionet parlamentare fillojnë diskutimin dhe miratimin e buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm, gjë që paraqet një mundësi të mirë për shoqërinë civile për të avokuar. Në këtë kuadër u ra dakord edhe organizimi i një séance dëgjimore të përbashkët me shoqërinë civile për të diskutuar mbi buxhetin e shtetit, aksesin në arsim dhe bullizmin online.

Për më shumë info, kontaktoni:

CRCA/ECPAT Shqipëri

E-mail: crca@crca.al


Detajet e Lajmit
September 13, 2024
48
Kategoria