Kuvendi i Shqipërisë tashmë nuk ka asnjë pengesë për miratimin përfundimtar të projekt-ligjit të përgatitur nga CRCA/ECPAT Shqipëri dhe të dorëzuar si nismë legjislative nga deputetja Erisa Xhixho. CRCA/ECPAT Shqipëri: Ligji dhe bashkëpunimi, triumfuan kundër pedofilëve e grabitqarëve seksualë!

Tiranë, 19 Korrik 2022 – Komisioni Parlamentar Për Legjislacionin dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot nen për nën projekt-ligjin “Për Regjistrin Kombëtar të të dënuarve për krime seksuale”.  Miratimi në këtë Komision, i hap tashmë rrugën projekt-ligjit për t’u miratuar në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Projekti që kaloi sot në miratim bazohet thuajse tërësisht në projektin e propozuar dhe të përgatitur nga CRCA/ECPAT Shqipëri, I cili u paraqit në Kuvend si nismë  legjislative nga deputetja Erisa Xhixho në Nëntor të vitit të kaluar.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për mbrojtjen e fëmijëve dhe të të gjithë viktimave të krimeve seksuale në Shqipëri” – tha Altin Hazizaj, Drejtor Ekzekutiv i CRCA/ECPAT Shqipëri – “Ligji dhe bashkëpunimi, triumfuan kundër pedofilëve e grabitqarëve seksualë. Ne presim që javën e ardhshme të gjithë deputetët ta miratojnë unanimisht nismën tonë ligjore.”

Një ditë më parë projekt-ligji kishte marr miratimin në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë dhe në atë të Sigurisë Kombëtare. Gjatë ditës së djeshme, znj. Borjana Dine, Zyrtare e Mbrojtjes së Fëmijëve në CRCA/ECPAT Shqipëri, në emër të organizatës ndau shqetësimin për disa aspekte të rëndësishme të projekt-ligjit, të cilat nuk ishin përfshirë në versionit final. Gjatë ditës së sotme deputetet, bazuar në propozimet CRCA/ECPAT Shqipëri, miratuan disa shtesa të rëndësishme në versionin final të projekt-ligjit.
Projekt- Ligji “Për Regjistrin Kombëtar të të dënuarve për krime seksuale”, është një nismë ligjore e përgatitur nga ekspertët më të mirë të CRCA/ECPAT Shqipëri. Përpjekja e parë për të miratuar ligjin u bë në vitin 2013, por në atë kohë Kuvendi ra dakord të miratojë vetëm ndryshimet e propozuara në Kodin Penal. Në vitin 2019 nisma u ri-paraqit për miratim nga deputetja Fatjona Dhimitri, por për shkak të zgjedhjeve parlamentare Kuvendi nuk pati kohën e nevojshme për ta shqyrtuar. Në vitin 2020, me konstituimin e parlamentit të ri, projekt-ligji u soll përsëri për shqyrtim.
Qëllimi i ligjit është që të mbrojë çdo person nga krimet seksuale, sidomos fëmijët, me fokus kryesor parandalimin e krimeve seksuale. Thuajse 80 për qind e krimeve seksuale në Shqipëri kryen kundër fëmijëve dhe adoleshentëve.
CRCA/ECPAT Shqipëri, që prej hapjes së shërbimeve të Barnahus Shqipëri, si një qendër kombëtare për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale, ka vendosur në qendër të të gjitha ndërhyrjeve të saj përmirësimin e ligjeve, politikave dhe shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual. Mbi 80 fëmijë që I kanë mbijetuar dhunës seksuale kanë përfituar mbrojtje dhe shërbime falas nga Barnahus Shqipëri.
Projekt-ligji pritet që në ditët në vazhdim të miratohet në unanimitet të plotë nga të gjithë deputetët. Ndërsa CRCA/ECPAT Shqipëri, do të vijojë punën për një tjetër nismë të rëndësishme, përmirësimin e Kodit Penal, ku duhen përfshirë një sërë veprash të reja penale për mbrojtjen e fëmijëve nga krimet seksuale online dhe në jetën e përditshme.
 
Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni në :
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al