Koalicioni përshëndet hyrjen e tre deputeteve të reja në Parlamentin e Shqipërisë

Koalicioni përshëndet hyrjen e tre deputeteve të reja në Parlamentin e Shqipërisë

Tiranë, 1 Tetor 2014 – Koalicioni për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, ndoqi me vëmendje dorëzimin e mandatit të deputetit nga katër ministrat e fundit të qeverisë aktuale dhe kalimin e këtij mandati tek kandidatët e tjerë të listave emërore, tre prej të cilave gra.

Koalicioni, i cili prej disa vitesh tashmë, ka kërkuar përcaktimin në Kodin Zgjedhor të mekanizmave që do të bënin të mundur zbatimin real të kuotës gjinore, përshëndet punën dhe vendimin e KQZ për zëvendësimin e mandateve të deputetëve nga kandidate gra, sipas përllogaritjeve të të cilit tre nga katër mandate u kalojnë kandidateve gra në listat emërore. KQZ ka vendos zëvendësimin e mandateve të dorëzuara me kandidate gra të listës emërore, në zonat ku partitë politike nuk kanë zbatuar kuotën gjinore prej 30 % të përfaqësimit të grave.

Kështu referuar listave emërore, hyn në Kuvend Erjeta Allhysa, Luljeta Arapi dhe Ezmerina Hoxha, të cilat do ta çojnë numrin e grave deputete në Kuvendin e Shqipërisë në 29. Edhe pse ky numër nuk arrin kuotën e synuar 30%, përsëri Koalicioni përshëndet punën e KQZ dhe të Parlamentit Shqiptar në këtë drejtim, duke i inkurajuar të vazhdojnë përpjekjet për arritjen e standarteve të kërkuara europiane.

Gjithashtu Koalicioni inkurajon gratë parlamentare të ndërmarrin dhe mbështesin nismat për barazinë gjinore në vend, që të gjithë së bashku të krijojmë mundësitë që gratë të jenë pjesë e politikës, sepse barazia gjinore, përfaqësimi dhe pjesëmarrja e tyre në politikë janë çështje thelbësore të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut.

Përfaqësimi më i lartë i grave në politikë e parlament, do të bëjë që pikëpamjet dhe interesat e grave dhe vajzave të kenë më shumë shanse të merren parasysh. Kjo do të reflektojë diversitet më të madh të politikave, politika më të mira për fëmijët e familjen dhe do të sigurojë modele për një shoqëri më demokratike.

Ne besojmë se pjesmarrja e grave në parlament nevojitet për të forcuar demokracinë dhe promovuar funksonimin e rregullt të saj. Rritja e pjesmarrjes së grave në strukturat vendimmarrëse dhe jetën politike është mundësi për fuqizimin e grave. Institucionet dhe politikat mund të jenë më përfaqësuese dhe gjithë-përfshirëse, duke kontribuar kështu në një rrugë më të mirë të zhvillimit.


Për më shumë info, kontaktoni:

Znj. Blerina Metaj
Menaxhere Programi
E-mail: blerina.metaj@crca.al

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL