
Tiranë, 18 dhjetor 2024 – Komisioni Parlamentar i Arsimit në Kuvendin e Shqipërisë organizoi sot një Seancë Dëgjimore me anëtarët dhe partnerët e Koalicionit për Arsimin në Shqipëri për t’u njohur me çështjet më shqetësuese, problemet dhe rekomandimet që anëtarët e Koalicionit kishin kërkuar për t’i ndarë me deputetët anëtarë të Komisionit që prej fillimit të vitit të ri akademik në vend. Tre ishin fushat më shqetësuese që u ngritën gjatë seancës me deputetët: a) aksesi, cilësia dhe gjithëpërfshirja e fëmijëve në arsimin publik parauniversitar; b) buxheti i shtetit për arsimin; dhe c) të drejtat e studentëve që ndjekin arsimin e lartë.
CRCA/ECPAT Shqipëri ndau shqetësimin, që u mbështetën nga të gjithë deputetët, se pavarësisht përpjekjeve të bëra prej 12 vjetësh, buxheti i shtetit për arsimin vijon të mbetet ndër më të ultët në Europë. “Mungesa e investimeve në arsim kthehet në mungesë të investimit në dijet e fëmijëve. Ndaj është detyrë e çdo deputeti që t’i bëjë presion Qeverisë për ta kthyer arsimin në prioritet kombëtar” – tha gjatë prezantimit të tij Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA Shqipëri.
Disa nga çështjet e tjera shqetësuese që anëtarët e Koalicionit të Arsimit ngritën gjatë prezantimeve të tyre ishin: dhuna dhe bullizmi në shkolla, kujdesi për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe ata Romë, si dhe mbështetja që Qeveria duhet të japë për programet arsimore, transportin e nxënësve, sigurinë online në shkollë të fëmijëve etj.
Seanca e sotme u organizua pas thuajse dy vjetësh, ku CRCA/ECPAT Shqipëri i kishte kërkuar Komisionit për Arsimin dhe deputetëve që të angazhohen më shumë në çështjet e arsimit, duke u shprehur se ky dialog duhet të bëhet më i shpeshtë, duke përfshirë edhe organizimin e përbashkët të vizitave në shkollat publike. Në përfundim të seancës u ra dakord që të punohet së bashku për të përgatitur një draft-rezolutë për të adresuar prioritetet për të cilat do të duhet të angazhohet Qeveria, Kuvendi dhe shoqëria civile për përmirësimin e situatës së arsimit në Shqipëri.
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al