
NJOFTIM PËR SHTYP
Tiranë, 24 Tetor 2014 – Këshilli Bashkiak Tiranë dhe Shtëpia e të Drejtave të Njeriut / CRCA Shqipëri në bashkëpunim me Lidershipin e të Rinjve të Tiranës, organizuan sot ceremoninë e nënshkrimit të aktit të themelimit të Bordit Rinor Këshillimor pranë Këshillit Bashkiak Tiranë. Ky akt u nënshkrua nga 33 organizata rinore, anëtare të rrjetit rinor ‘Lidershipi i të Rinjve të Tiranës’, të cilat do të jenë gjithashtu pjesë e këtij bordi.
Bordi Rinor Këshillimor do të funksionojë si një strukturë këshilluese nga të rinjtë për të rinjtë pranë Këshillit Bashkiak Tiranë dhe do të ketë për qëllim rritjen e përfaqësimit të të rinjve të Tiranës në nivel lokal në të gjitha fazat e vendimmarrjes e hartimit të politikave për të rinjtë.
Kryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Z. Aldrin Dalipi, në fjalën e tij e vuri theksin tek rëndësia e pjesmarrjes së të rinjve në hartimin e politikave për të rinjtë në nivel lokal pasi vetëm kështu zëri i komunitetit mund të dëgjohet. Ai propozoi që Borde të tilla rinore të shtrihen në të gjithë vendin.
Z. Altin Hazizaj, drejtor i HRH/CRCA Shqipëri, u përqëndrua në rëndësinë e ngritjes së Bordit Rinor Këshillimor si një mekanizëm e model pozitiv i cili i jep shtysë pjesmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje. Përfaqësuesja e Rrjetit Rinor ‘Lidershipi i të Rinjve të Tiranës’, znj. Aspasjana Kërxhalli në fjalën e saj theksoi mënyrat sesi interesat e të rinjve mund të adresohen në qeverisjen lokale dhe u shpreh se Bordi Rinor Këshillimor duhet të jetë pjesë e këshillimit të vazhdueshëm për çështje të ndryshme që prekin të rinjtë.
Krijimi i këtij Bordi është një sukses i lëvizjes rinore në Tiranë, pas shumë nismave lobuese e advokuese. Është hera e parë që Këshilli Bashkiak Tiranë, një organ i zgjedhur vendor, krijon një hapësirë të demokracisë dhe pjesmarrjes rinore. Këshilli në bashkëpunim me Lidershipin e të Rinjve të Tiranës, kanë vendosur që së bashku të ndërtojnë një eksperiencë të re të pjesmarrjes rinore, e cila mund të shërbejë si një model pozitiv për qeverisjen vendore dhe atë qëndrore.
Ky aktivitet u ndoq nga më shumë se 60 pjesmarrës, përfaqësues të organizatave rinore, organizatave të tjera të shoqërisë civile në vend, institucioneve vendore, agjensive të huaja në vend sikurse edhe nga media.