Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe Bashkia Tiranë të marrin masa urgjente për të garantuar që çdo qytetar i interesuar të ndjekë mbledhjet e Këshillit në zbatim të ligjit për pushtetin vendor!
Drejtuar:
Z. Lulzim Basha
Kryetar i Bashkisë Tiranë
Z. Niazi Kosovrasti
Kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës
Z. Behar Zeneli
Sekretar i Këshillit Bashkiak të Tiranës
Për dijeni:
Z. Ettore Sequi
Shef i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri
Z. Eugen Wollfarth
Kreu i prezencës së OSCE në Shqipëri
Z. Alexander A. Arvizu
Ambasador i SHBA në Shqipëri 
Z. Marco Leidekker
Shefi i Zyrës së KE në Shqipëri
Z. Ferdinand Poni
Kryetar i grupit të Këshilltarëve të djathtë
Z. Aldrin Dalipi
Kryetar i grupit të Këshilltarëve të majtë
Tiranë 04 Mars 2013 – Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), një ndër organizatat kryesore të shoqërisë civile në vend është e skandalizuar dhe e indinjuar nga trajtimi që Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka bërë gjatë ditës së djeshme një prej anëtarëve të stafit drejtues të CRCA dhe dy vajzave të reja të grupit rinor të Lidershipit të Tiranës. Pavarësisht se CRCA ka ndjekur të gjitha procedurat standarte për akreditimin për ndjekjen e mbledhjeve të Këshillit, dje stafi ndihmës i Këshillit i ka nxjerrë jashtë duke i trajtuar në mnëyrën më të shëmtuar dhe në mungësë të plotë të respektit për dinjitetin njerëzor të tre përfaqësuesit e CRCA.
Me anë të kësaj letre ne protestojmë me të gjithë forcën tonë për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe në mnëyrë të veçantë të të drejtave të grave dhe vajzave, të garantuara si nga legjislacioni i brendshëm i Shqipërisë ashtu edhe nga Konventa e OKB-së për eleminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave (CEDAW).
Që prej vitit 2006 e në vijim, CRCA punon në drejtim të promovimit të pjesmarrjes së barabartë të të rinjve, grave dhe minoriteteve në jetën politike të vendit.  Që prej Janarit të vitit 2012 ne po punojmë bashkë një grup të rinjsh nga partitë politike dhe shoqëria civile, nëpërmjet “Lidershipit të të rinjve të Tiranës”, për të nxitur pjesmarrjen aktive të të rinjve në qeverisjen lokale. Pjesë e  punës sonë është edhe vëzhgimi i procesit të vendim-marrjes lokale, që realizohet në Këshillin Bashkiak të Tiranës, për të parë se sa dhe si ky këshill i dedikon kohë dhe buxhet zgjidhjes së çështjeve të të rinjve, grave dhe fëmijëve në Tiranë.
Përfaqësuesit e CRCA Shqipëri tashmë kanë qenë prezent në 6 mbledhje të Këshillit gjatë vitit 2012. Në mbledhjen e datës 28 Shkurt 2012, CRCA kishte njoftuar Këshillin për praninë e vëzhguesve në mbledhje dhe nuk kishte hasur pengesa. Përfaqësuesit tanë ishin instruktuar nga punonjësit e Bashkisë që të paraqiteshin 30 minuta para fillimit të mbledhjes. Të tre vëzhgueset (vajza mosha 22-24 vjeç) u paraqitën 30 minuta përpara fillimit të mbledhjes dhe në fillim u lejuan të futeshin në sallë.
Më pas iu komunikua se Salla e Mbledhjeve të Këshillit Bashkiak nuk ka hapësirat e duhura për të lejuar pjesmarrjen e të gjithë personave të interesuar dhe se vendet e tyre ishin për drejtuesit. Mënyra e komunikimit ishte gjatë të gjithë kohës jo etike dhe jo e përshtatshme për një institucion publik, duke mos dhënë asnjë informacion nëse mbledhja mund të ndiqej duke qëndruar edhe në këmbë. Mbas një përpjekje të dytë vëzhgueset u futën përsëri në sallë dhe u nxorën përsëri nga aty, me justifikimin se “vendet janë për drejtorët e Bashkisë”. CRCA asnjëherë nuk ka kërkuar që të ketë vende-ulëse të rëzervuara në këto mbledhje.
Për CRCA, mos lejimi i përfaqësuesve tanë që të ndjekin nga afër mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, është një precedent i rëndë i shkeljes së ligjit për pushtetin vendor në Shqipëri. Ligji Nr.8652, i datës 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore”, në Nenin 34, pika 1, thotë: “Mbledhjet e Këshillit janë të hapura për publikun. Çdo qytetar lejohet të ndjekë mbledhjet e këshillit…”
Moslejimi i ndjekjes së mbledhjeve është shkelje e të drejtës bazë të çdo qytetari për të marrë pjesë dhe për të ndjekur mbledhjet e institucioneve të zgjedhura prej tij, të drejta këto të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Për më tepër, është në interesin e rritjes së transparencës dhe mirë-qeverisjes, që Këshilli Bashkiak i Bashkisë Tiranë, t’i organizojë mbledhjet e tij të hapura për të gjithë qytetarët e Tiranës, pasi Tirana e vitit 2013 nuk është Tirana e vitit 1990.
Duke u nisur nga kjo ngjarje shumë e rëndë, CRCA Shqipëri i rekomandon Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Kryetarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, si dhe grupeve të partive politike në këtë Këshill, të marrin masat më të shpejta për ta zgjidhur këtë çështje, përfshirë edhe:

Rishikimin e Rregullores së Funksionimit Të Këshillit Bashkiak Tiranë, për të siguruar që çdo qytetar i interesuar, të ketë mundësi të ndjekë mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë;
Parashikimin në Rregullore të procedurave dhe mënyrave për ndjekjen e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak nga të interesuarit, si p.sh. vënia në dispozicion e një salle tjetër nga ajo ku zhvillohet mbledhja, ku qytetarët dhe grupet e interesuara, përmes një monitori apo mjeteve të tjera, të kenë mundësi të ndjekin mbledhjet e hapura të Këshillit;
Sigurimin e transparencës ndaj qytetarëve dhe taksapaguesve të Tiranës, të cilët ju kanë besuar qeverisjen e qytetit;
Sjellje etike nga stafi i Bashkisë Tiranë. Rishikimin e mënyrës së pritjes së qytetarit dhe mos lejimin e paragjykimeve personale të mundshme të stafit të Bashkisë ndaj qytetarëve.

Në çdo rast nëse nuk zgjidhen këto kërkesa të rëndësishme demokratike, CRCA do të padisë pranë Gjykatës Kushtetuese, Nenin 39 të Rregullores së Funksionimit të Këshillit Bashkiak Tiranë, si një nen që haptazi kufizon të drejtën e qytetarëve për informim dhe pjesmarrje në institucionet e tyre publike.
CRCA beson se e drejta e informimit dhe e pjesmarrjes në vendimmarrje, janë ndër të drejtat themelore të njeriut në një vend demokratik, prandaj institucionet duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar respektimin e të drejtave të qytetarëve në ushtrimin e tyre larg pengesave administrative.under construction


Detajet e Lajmit
February 28, 2013
364
Kategoria