Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) me anë të këtij dokumenti kërkon të bëj publik qendrimin dhe kërkesat e saj drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Qeverisë dhe Sistemit të Drejtësisë.
Në datë 16 Mars 2013 një fëmijë në zonën e Laprakës humbi nga kontrolli i prindërve dhe vetëm ditën e neserme falë një kontrolli të rastësishëm u gjet në shtëpinë e një personi që dyshohet se ka kryer krime seksuale kundër fëmijëve edhe më parë. Ndër të tjera Julian Çela, një tjetër fëmijë që banonte në të njëjtën lagje, dyshohet se është vrarë dhe më pas depozituar në plehra, nga i njëjti person. Në të gjithë vendin ka me qindra të dhunës, krimeve seksuale, vrasjeve dhe keqtrajtimit të fëmijëve. Aishe Vata, Nazime Visha, janë ndër të tjera viktima të krimeve seksuale të pedofilëve ndaj fëmijëve në Shqipëri.
Çështja bëhet më shqetësuese përkundrejt qëndrimit thuajse neglizhent që kanë mbajtur dhe ende mbajnë institucionet publike në Shqipëri, sidomos sistemi i drejtësisë dhe sistemi i mirëqenies sociale, përkundrejt përhapjes së gjerë të dhunës dhe keqtrajtimit ndaj fëmijëve, përfshi edhe krimet e rënda seksuale ndaj tyre.
Studimit Epidemiologjik Ballkanik mbi Abuzimin dhe Neglizhimin e Fёmijёve (B.E.C.A.N) në Shqipëri, të dhënat bazë të të cilit u bënë publike në Janar të vitit 2013, vërtetuan se dhuna ndaj fëmijëve është një fenomen i përditshëm për pjesën më të madhe të fëmijëve në Shqipëri. Studimi tregoi se 59% e fëmijëve në Shqipëri janë viktima të dhunës fizike ndërsa 11% përqind e fëmijëve deklaruan se janë viktima të ngacmimeve seksuale. Nga ana tjetër thuajse 5% e fëmijëve deklaruan se janë viktima të dhunës seksuale dhe 4% e tyre deklaruan se kjo ju ka ndodhur gjatë vitit të fundit.
Ekspozimi i një numri kaq të madh të fëmijëve përkundrejt dhunës dhe krimeve seksuale është tregues se të rriturit kanë tendencën të dhunojnë fëmijët përgjatë rritjes së tyre. Nga ana tjetër ky është tregues se puna dhe qëndrimi i institucioneve, për të parandaluar dhe eleminuar këto fenomene shoqërore, është vendimtar për t’i shpëtuar fëmijët nga pasojat e rënda që shakton dhuna dhe për të garantuar mirqënien fizike, arsimore, mendore, emocionale dhe seksuale të tyre. Shqipëria është shtet palë i Konventës për të Drejtat e Fëmijës dhe ka detyrime si kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare për të mbrojtur, garantuar dhe respektuar të drejtat e fëmijës.
Nisur nga këto ngjarje të rënda Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), sot bën publike këto kërkesa përkundrejt institucioneve publike, të cilat kanë për detyrim ligjor dhe moral, përkundrejt familjeve dhe fëmijëve në Shqipëri, që të marrin të gjitha masat për zbatimin e tyre. KËRKESAT TONA JANË:
Kuvendi i Shqipërisë të miratojë Ligjin për Mbrojtjen nga Dhuna të Fëmijëve në Shqipëri, si një masë për ngritjen dhe përcaktimin e procedurave për raportimin e dhunës ndaj fëmijëve në çdo institucion public dhe privat në vend;
Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Punës të marrin masa të menjëhershme që të bëjnë funksionale Njësitë për Mbrojtjen e Fëmijëve në çdo bashki dhe komunë të vendit, duke iu dhënë stafin, mjetet dhe financimin e duhur, për t’i kthyer ne qendra të mirëfillta të punës sociale dhe shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, krimet seksuale, neglizhenca dhe shfrytëzimi.
Të ngrihet urgjentisht Rregjistri Kombëtar i Krimeve Seksuale, pranë Ministrisë së Drejtësisë, ku çdo person që kryen krime seksuale të jetë i rregjistruar në te dhe ku të dhënat të jenë publike për çdo qytetar.
Qeveria shqiptare të krijojë një fond të posaçëm të quajtur Fondi për Fëmijët në Shqipëri, i cili të financojë të gjitha shërbimet e emergjencës dhe mbështetëse për fëmijët në vend.
Ministria e Arsimit të miratojë procedura dhe të krijojë mekanizma për ndjekjen e çdo raportimi të dhunës dhe ngacmimi fizik dhe seksual nga mësuesit dhe fëmijët në mjediset e Shkollës.
Presidenti i Republikës në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë të marrin masa për ngritjen e Gjykatave për Fëmijët dhe të Mituritsi një mundësi të forcimit të sistemit gjyqësor dhe zbatimit të ligjit penal ndaj të gjithë atyre që kryejnë krime ndaj fëmijëve në Shqipëri.
Ngritjen dhe financimin e Shërbimeve Kombëtare të Specializuara në cdo Qarktë vendit, si një mundësi për të ndihmuar çdo fëmijë që bëhet viktimë e krimeve seksuale apo formave të rënda të dhunës e shfrytëzimit.
Ne nxisim Ministrinë e Arsimit dhe shoqërinë civile në Shqipëri që të ndërtojnë programe të koordinuara të informimit të fëmijëve dhe prindërve sesi të mbrohen ngakrimet seksuale dhe dhuna, në mënyrë që të rritet informi dhe edukimi i fëmijëve, si dhe mbrojtja e tyre nga dhuna, abuzimi dhe kriminaliteti.
Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) do të ndjekë me vemendje zbatimin e këtyre kërkesave nga ana e të gjitha institucioneve publike në Shqipëri si dhe do nxisë të gjithë shoqërinë shqiptare që të bëj presion ndaj institucioneve në të gjitha nivelet për miratimin e menjëhershëm të tyre.