Tiranë, 26 Mars 2013 – Anëtarë të Kaukusit të Parlamentarëve për të Drejtat e Fëmijëve (KPDF) zhvilluan sot një takim informal me përfaqësuesit e UNICEF dhe Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA) për të diskutuar të drejtat e fëmijëve në Shqipëri dhe atë që Kaukusi mund të bëje për të avancuar këto të drejta.
Kaukusi i Parlamentarëve për të Drejtat e Fëmijëve (KPDF) është një grup informal deputetësh i cili është formuar që nga muaji Korrik 2012 falë përpjekjeve dhe networkut të CRCA’së dhe mbështetjes së UNICEF dhe Bashkimit Europian.
Iniciativa për të ndërmarrë krijimin e Kaukusit për të Drejtat e Fëmijëve në Parlamentin e Shqipërisë u bë në kuadër të iniciativës BE/UNICEF ‘Mbrojtja e Fëmijëve nga Dhuna në Europën Jug-Lindore’ në bashkëpunim me CRCA’në.
Roli i këtij Kaukusi është të propozojë nisma të reja ligjore dhe të promovojë instrumenta që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e dhunës dhe abuzimit. Ky grup deputetësh ka një përbërje ndërpartiake të cilët vijnë nga komisione të ndryshme Parlamentare pasi të drejtat e fëmijëve nuk mund të kenë përkatësi partiake apo orientim politik.
Në diskutimin e tyre, deputetët e Kaukusit të pranishëm në takim, si Znj. Gjermeni, Znj. Hysi, Znj. Xhaçka dhe Z. Xhafaj sugjeruan thirrjen e një seancë dëgjimore me përfaqësues të Qeverisë dhe OJF-ve për të mbledhur informacion mbi situatën e fëmijëve viktima të keqtrajtimit. Ata shtuan se propozimi i një projekt-ligji në Kuvendin e Shqipërisë për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna në Shqipëri do të ishte thelbësor në këtë aspekt për të adresuar të gjitha mangësitë që legjislacioni ynë ka në lidhje me krimet ndaj fëmijëve. Sidoqoftë, sipas mendimit të tyre do të ishte e rëndësishme të viheshin përpara përgjegjësisë të gjithë aktorët qeveritarë në lidhje me Rekomandimet e Komitetit për të Drejtat e Fëmijëve i publikuar në Tetor të 2012.


Detajet e Lajmit
March 26, 2013
357
Kategoria