Të dashur miq, kolegë dhe mbështetës,

Këtë vit vendosëm që kartolina jonë për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri të jetë ndryshe. Ne zgjodhëm të dërgojmë urimet tona më të mira për një kauzë shumë të rëndësishme për ne: mbrojtja dhe kujdesi për fëmijët dhe të rinjtë që i kanë mbijetuar dhunës seksuale, shfrytëzimit, trafikimit dhe skllavërisë!

Tashmë bëhen katër vjet që kur CRCA/ECPAT Shqipëri hapi të parin Barnahus Albania, si një qendër kombëtare për ofrimin e shërbimeve multi-disiplinare dhe të koordinuara për fëmijët dhe të rinjtë që i kanë mbijetuar dhunës dhe shfrytëzimit seksual. Falë mbështetjes së miqve, partnerëve dhe donatorëve tanë, ne kemi mbështetur çdo rast të raportuar të dhunës seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri, me këshilla praktike institucionet përgjegjëse, duke dhënë ndihmë psikologjike, trajtuar traumën, apo ndihmë juridike falas për çdo viktimë, fuqizim personal dhe të familjes etj. Bazuar në nevojat e tyre, ne i kemi mbështetur fëmijët dhe familjet e tyre me ndryshimin e vendbanimit në një komunitet ose qytet të ri, përfshirë edhe mbështetjen materiale apo ushqimore.

Ne jemi krenarë që gjatë kësaj periudhe, së bashku me iSIGURT.al (Linja Kombëtare për Sigurinë në Internet në Shqipëri) – kemi shpëtuar më shumë se 100 fëmijë nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual online dhe offline, trafikimi dhe skllavëria. Brenda një kohe kaq të shkurtër ne kemi ndryshuar mënyrën se si të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve viktima mbrohen dhe trajtohen nga sistemi i drejtësisë. Nëse më parë vendimet e gjykatave dënonin një autor të dhunës seksuale ndaj fëmijëve deri në 8 vjet burgim, gjatë këtij viti çdo dënim që është dhënë ka qenë së paku 18 vjet burgim.

Studimi i BECAN, i mbështetur dhe financuar nga BE-ja, na tregoi se të paktën 1 në 10 fëmijë është viktimë e dhunës seksuale online dhe offline. Kjo do të thotë se të paktën 64,000 fëmijë dhe të rinj kanë pasur një episod të dhunës seksuale në jetën e tyre, para se ata të bëhen të rritur! Covid dhe qasja në teknologjitë e avancuara i ka bërë fëmijët dhe të rinjtë edhe më të prekshëm ndaj krimeve në internet. Megjithatë, pavarësisht numrit të fëmijëve të prekur nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual, vetëm 100-150 raste raportohen çdo vit tek autoritetet ligj-zbatuese ose vetëm 0.2 për qind e të gjitha rasteve. Kjo është e papranueshme! Çdo fëmijë dhe i ri i mbijetuar i dhunës seksuale duhet të ketë qasje të menjëhershme në shërbimet mbrojtëse, rehabilituese dhe mbështetëse!

Barnahus Albania beson se ju mund të ndihmoni për t’a ndryshuar këtë situatë. Fëmijët dhe të rinjtë – viktima të krimeve seksuale kanë nevojë për më shumë sesa shpresa! Ata kanë nevojë për një Barnahus, ku mund të marrin të gjitha shërbimet e nevojshme, këshillim psikologjik, trajtim për traumën, terapi në shtëpi, ndihmë juridike falas dhe fuqizim të familjes. Kjo nuk duhet të jetë një ëndërr e Vitit të Ri, por duke punuar së bashku ne mund ta bëjmë atë realitet për çdo fëmijë dhe të ri. Mbështesni sot Barnahus Shqipëri!