Tiranë 21.05.2021- Sot u nisëm përsëri drejt Bilisht, në këtë qytet ku sa herë shkon takon njerëz që të presin me buzëqeshje. Prej më tepër se 10 muaj CRCA ka prekur çdo zone të bashkisë Devoll ku jetojnë komunitetet Rome Egjiptiane dhe ka takuar çdo familje në nevojë të zonës. Falë zbatimit të projektit “Përmirësimi i Ofrimit të Shërbimeve Sociale në Bashkinë Devoll”, jemi përpjekur të evidentojmë dhe të plotësojmë nevojat e shtresave më në nevojë të kësaj bashkie. 

Pavarësisht kushteve të vështira në të cilat ata jetojnë, gjithmonë të hapin dyert dhe të mirëpresin në familjen e tyre. “Urdhëroni hyni, mos shikoni se më gjetët rrëmujë”- të thotë Sanija kur hyn dhe e takon. Banesa e saj flet vetë, e rregulluar me ato se çfarë munden tregon kushtet e vështira në të cilat ajo jeton. 
Situata e krijuar nga COVID-19 u ka vështirësuar jetesën edhe më tepër, djali që kujdeset për të nuk mund të emigrojë për punë sezonale në vendin fqinjë Greqi, por punon ku të mundet dhe e vetmja zgjidhje për të janë mbledhja e bimëve mjekësoree që ndodhen rreth e rrotull kodrinave dhe maleve të Devollit. Një kuti me ndihma ushqimore nuk është gjithçka, por në kushte emergjence kjo shportë me ushqime bazë u lehtëson sadopak barrën e varfërisë. 

Së bashku me shërbimet sociale të bashkisë Devoll, ndaluam në shëpinë e Antonios, djalin 17 vjeçar i cili që prej vegjëlisë ka qëndruar në shtrat për shkak të gjenjdes së tij shëndetësore. Kemi qënë edhe më parë tek Antonio, ku falë bujarisë të miqve tanë i siguruam një karrocë me të cilën ai të mund të shëtiste me prindërit e tij. Sapo hyn te dera e shtëpisë shikon se si prindërit kanë krijuar vetë një rampë të thjeshtë për të lëvizur me karrocë, motra e Antonios vjen me vrap e nuk harron të të qerasë një karamele për të uruar mirëseardhjen. 
Ndihesh i lumtur kur shikon buzëqeshjen e Antonios dhe sytë e tij që shkëlqejnë kur ti e pyet nëse ka dalë shëtitje.  Po këtë ditë u takuam dhe me Zengjinenë, nënën Rome e cila i ka bërë ballë dhunës në familje dhe me kurajo së bashku me vajzat e saj u vendosën në Bilisht për të krijuar një jetë të re. Nga një nënë që jetonte në situatë rruge, stafi i CRCA, pas identifikimit të saj e referoi rastin te shërbimet sociale të Bashkisë. U bë e mundur garantimi i bonusit të qerasë, sistemimi në një banesë, rregjistrimi në shkollë i vajzave dhe punësimi i saj si sanitare për nevojat e bashkisë Devoll. “Kam shpëtuar nga jeta që bëja, nuk do le që vazjat e mia të jenë pa shkollë, për to po punoj”- u shpreh ajo në një bisedë të çiltër, pa ndrojtje.  

Sanija, Antionio, Zengjineja janë disa prej heronjve jetësorë, historitë e të cilëve ne vendosëm t’i ndajmë sot. 

Rrugëtimi ynë për t’i ndihmuar nuk ndalet me kaq. Përballë vështirësive, varfërisë të këtyre komuniteteve gjithnjë e më tepër na motivon shprehja e Nënë Terezës “JO TË GJITHË NE MUND TË BËJMË GJËRA TË MËDHA, POR NE MUND TË BËJMË GJËRA TË VOGLA ME DASHURI TË MADHE” 

Nisma “Përmirësimi i Ofrimit të Shërbimeve Sociale në Bashkinë Devoll” ndërmerret në kuadrin e zbatimit të programit të përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Përmirësimi i ofrimit të Shërbimeve Sociale në nivel lokal (IMSPSD), i zbatuar nga Qeveria e Shqipërisë në partneritet midis katër Agjencive të OKB-së financuar nga Fondi i Përbashkët SDG. 

Për më tepër informacion kontaktoni në adresën 

linda.pino@crca.al

crca@crca.al


Detajet e Lajmit
May 21, 2021
548
Kategoria