Menjëherë pas thirrjes së CRCA/ECPAT Shqipëri mbi denoncimin e të gjitha partive që do të përdorin imazhin e fëmijëve gjatë fushatës elektorale 2021, media prestigjoze Balkaninsight, mori në intervistë Drejtorin Ekzekutiv të CRCA/ECPAT Shqipëri.
Këtë intervistë të plotë dhe të realizuar nga gazetarja Fjori Sinoruka, e gjeni të plotë më poshtë:
 
 
Altin Hazizaj
Drejtor i Përgjithshëm i CRCA/ECPAT Shqipëri
 
1. Në llogaritë personale të disa politikanëve në rrjetet sociale, ata shfaqen në prezencën e fëmijëve. Këto foto postohen pa e ruajtur identitetin e fëmijëve. Sa e dëmshme është kjo?
Në fakt edhe që para se të fillonte fushata elektorale, disa politikanëe kanë kthyer përdorimin apo abuzimin e imazhit të fëmijëve në një zbukurim të përditshëm të faqeve të tyre. Gjëja më e çuditshme është se janë po këta që nuk nxjerrin apo tregojnë asnjë foto të fëmijëve të tyre. Në menndje më vjen Kryetari i Bashkisë së Tiranës, që e ka kthyer shfrytëzimin politik të imazhit të fëmijëve në një “art” më vete aq sa të duket qesharake pasi fëmijët nuk janë votues dhe me të drejtë pyes veten ndonjëhere: po ky ka dalë për t’u takuar me fëmijë apo ka biseduar edhe me njerëz të rritur. Por ndërkohë a e keni parë ndonjëherë Erjonin të dalë në foto me fëmijën e tij? Po Ramën? Po Bashën?
Me fillimin e fushatës, kuptohet që nuk ka mbetur politikan pa përqafuar ndonjë fëmijë sa për foton e rradhës, sidomos të dy liderët kryesorë z. Rama dhe z. Basha.
Z. Rama thuajse në çdo takim të tij, po nuk pati ndonjë fëmijë për ta përqafuar apo disa, duke i vendosur aty rresht si të jenë kukulla, është e pamundur që të nxjerrë foto. Ndërkohë që këto dy ditë kemi vërejtur edhe një përdorim të fëmijëve në shumë foto të takimit me elektoratin edhe të z. Basha. Të gjitha këto foto e imazhe që shpërndahen për miliona njerëz bëhen për një shkaqe shumë të thjeshta: e para sepse fëmijët janë shenjestra shumë të lehta! Pse kemi numrin më të lartë të krimeve seksuale ndaj fëmijëve dhe jo ndaj të rriturve? Sepse fëmijët nuk kanë aftësinë të mbrohen vetë apo mund të detyrohen nëpërmjet kërcënimit apo manipulimit që të bëjnë diçka kundër dëshirës së tyre apo sepse ashtu ju thotë prindi, që supozohet të jetë mbrojtës i fëmijës. Ndërkohë nuk duhet të harrojmë që vijmë nga një vend me histori të tmerrshme nga koha e komunizmit, ku fëmijët ishin fasadë e Enver Hoxhës apo thurnin vargje e këngë për liderin e dashur. Këto lloj imazhesh ngulen lehtë në memorien e politikanëve dhe qytetarëve dhe ai lloj manipulimi i mendjes vazhdon edhe sot. Nga ana tjetër ka plot prindër që janë thellësisht të indoktrinuar nga një politikan apo ideologji dhe sigurisht ai është idhulli I tyre. Ndaj mundësia që fëmija e tyre të dalë në një foto me X apo Y politikan është tamam një ëndërr.
Tani me të drejtë mund të pyesim si njerëz apo si ekspertë pse qënka kaq e rëndë dalja e politikanëve në foto me fëmijët. Në fakt, duhet thënë se problemi nuk qendron aq tek dalja në foto me fëmijë, sesa tek fakti, që në këto takime e dalje publike, asnjë politikan nuk flet me dhe për fëmijët! Më bëri përshtypje një takim I z. Rama ku prezent ishin tre vajza të vogla, që ishin ngjitur me të, e ai bisedonte vetëm me prindërit e tyre, sikur ato tre vajza të mos ishin fare aty! Sa do të kisha dashur që në ato momente të kisha dëgjuar që do të hapte kopshte të reja, do t’i mbronte ato nga dhuna seksuale që kaq shpesh po ndodh nëpër shkolla; do t’i ofronte mbështetje financiare për të mos qenë më fëmijë që jetojnë në varfëri etj etj. Po jo asgjë! Ato ishin aty thjesht si kukulla, pa zë, pa kërkesa, pa dëshira, pa ëndrra, thjesht një imazh që bëjnë dikë tjetër të duket më i pranueshëm në publik, apo le ta themi më fjale të thjeshta fëmijësh: duket bukur!
 
2. Dhe kur prindërit japin konsent për shfaqjen e fëmijëve, a duhet të ketë një lloj mbrojtje të identitetit të tyre?
Në shumicën e rasteve, për të mos thënë në çdo rast, faji e përgjegjësia kryesore bie mbi prindërit, por pa përjashtuar stafet politike dhe ato të mediave të liderave, pasi janë ata që e përgatisin terrenin për këto takime, se me kë do të takohet kryetari, kush do të jetë prezent, në cilin pozicion do të ulet e çfarë do të thotë. Pra çfarë shohim në foto është një dramë që ndodh para syve tanë dhe që ka shumë autorë. Është detyra e prindërve dhe e këtyre stafeve, që jo të kryejnë dhunimin e rradhës ndaj një fëmije, por mbi të gjitha të kenë kujdes për të mbrojtur fëmijët. Nëse kjo nuk ndodh kuptohet që si politikanë po edhe si prindër, këta njerez do të kenë tendencën që të dhunojnë apo t’i trajtojnë fëmijët e tyre dhe fëmijët e Shqipërisë si t’ju dojë qefi. Realiteti flet e tregon se shteti ynë apo edhe familjet tona I shkelin të drejtat e fëmijëve shpesh dhe goxha rëndë. Ndaj edhe për zyrën tonë ky shfrytëzim dhe përdorim i shëmtuar i fëmijëve është i papranueshëm dhe nuk duhet toleruar.
Çfarë ka rëndësi të thuhet është që publikimi i imazheve të fëmijëve në media ua lehtëson grabitqarëve seksuale dhe pedofilëve punën për identifikimin e fëmijëve-viktima të rradhës të krimeve të tyre seksuale. Janë pikërisht këto imazhe që pedofilët dëshirojnë të kenë para syve dhe që liderat e politikanët tanë kaq lehtë ua vendosin në dispozicion. Po nga ana tjetër, fakti që asnjë nga ne nuk i ka parë në foto fëmijët e politikanëve kryesore, mua më thotë që ata e dinë shumë mirë këtë gjë, ndaj edhe nuk nxjerrin imazhet e fëmijëve të tyre në media, por vetëm të fëmijëve “të të tjerëve”. A nuk është kjo skandaloze?
 
3. Cili është sugjerimi apo qëndrimi juaj lidhur me këtë fenomen?
CRCA/ECPAT Shqipëri ditën që u hap zyrtarisht fushata elektorale doli me një deklaratë për shtyp ku kishte dy elemente kryesore:
1. Evidentimin e çdo politikani që shfrytëzon fëmijët për qëllimi përfitimi elektoral;
2. Ftesën për qytetarët shqiptarë që kurdo shohin një imazh të çdo politikani që shfrytëzon fëmijët për qëllime elektorale ta raportojnë menjëherë pranë Zyrës sonë ligjore.
Ndërkohë kemi marr vendimin që në përfundim të fushatës zgjedhore të dalim me një raport të plotë e të detajuar të monitorimit të medias për të evidentuar të gjitha lajmet, intervistat apo raportimet ku politikanët qartazi janë duke shfrytëzuar imazhin e fëmijëve. Besoj se ky raport që përgatitet për herë të parë në Shqipëri, kur të bëhet publik do të shokojë jo pak politikanë, të cilët e tratojnë sot jetën dhe imazhin e fëmijëve si të jetë një lojë, duke harruar pasojat që mund të sjellë një ekspozim i tillë.
 
 


Detajet e Lajmit
April 23, 2021
458
Kategoria