Tiranë, 14 Nëntor 2024 – Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri, iSIGURT.al, mbajti sot takimin hapës të nismës NetSMARTkids – një projekt i përbashkët i CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Programit Europa Dixhitale e Komisionit Europian, në partneritet me ALO 116-111: Linja kombëtare e Telefonit të Ndihmës për Fëmijët. Takimi u hap nga zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Denada Seferi, ndërkohë që diskutime u mbajtën nga përfaqësues të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Policia e Shtetit, Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve etj.

“Hapësira dixhitale është kthyer në një hapësirë të pasigurt dhe të rrezikshme për fëmijët dhe të rinjtë. Sipas iSIGURT.al dhe ALO 116-111 numri i incidenteve që fëmijët dhe adoleshentët po raportojnë çdo vit vjen duke u trefishuar. Ky realitet ka nevojë të ndryshojë dhe hapësira dixhitale duhet të jetë një hapësirë e sigurtë për çdo fëmijë.” – tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri.

netSMARTKIDS ka si qëllim të fuqizojë Qendrën e Internetit të `Sigurt në Shqipëri, nëpërmjet mbështetjes së iSIGURT.al dhe ALO 116-111 në Shqipëri, për të mbrojtur fëmijët nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual në internet, si dhe nga çdo rrezik tjetër në hapësirën dixhitale.

Ndërhyrja bazohet në tre shtylla kryesore: ndërgjegjësimin e fëmijëve, prindërve dhe mësuesve për risqet në hapësirën dixhitale, forcimin e kapaciteteve të autoriteteve publike dhe shoqërisë civile për mbrojtjen e fëmijëve nga dëmtimet në hapësirën dixhitale dhe, fuqizimin e fëmijëve dhe të të rinjve që të marrin pjesë në vendimmarrje për të avokuar për politikat dhe ligjet e reja për mbrojtjen e tyre, duke kontribuar edhe në krijimin e një ekosistemi pozitiv online për fëmijët dhe të rinjtë, nëpërmjet krijimit të Laboratorit të Medias për të Rinj.

Nisma NetSMATkids ka në qendër të saj dy qëllime kryesore, të cilat synojnë të gjejnë mbështetje dhe angazhim nga të gjithë partnerët  kombëtarë dhe ndërkombëtarë duke pasur si objektiv kryesor luftën e përbashkët ndaj materialeve me përmbajtje të dhunës seksuale ndaj fëmijëve (CSAM). Rritja e informimit, ndërgjegjësimi, këshillimi dhe raportimi pranë iSIGURT.al– Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri qëndron në thelb të kësaj nisme, si një nga elementet kyç të cilat sigurojnë mbështetjen në vijën e pare të këtyre rasteve ndaj fëmijëve.

NetSMARTkids do të zbatohet përgjatë periudhës Shtator 2024 – Shkurt 2027 në partneritet me ALO 116 Shqipëri: Linja Kombëtare e Telefonit të Ndihmës për Fëmijë, iSIGURT.al, shoqërinë civile dhe një Ministritë partnere të CRCA Shqipëri. Ajo do të zbatohet në të dymbëdhjetë qarqet e vendit.

Për më shumë informacion ose intervista, kontaktoni:

CRCA/ECPAT Shqipëri

E-mail: crca@crca.al


Detajet e Lajmit
November 15, 2024
243
Kategoria