9 shkurt 2021 – Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Internetit të Sigurt, mësues dhe mbrojtës të së drejtave të fëmijëve, kanë organizuar aktivitete të ndryshme në shumë shkolla të vendit. Të ftuar nga CRCA/ECPAT Shqipëri, dhjetra mësues dhe profesionistët që punojnë çdo ditë për të drejtat e fëmijëve, kanë preferuar të japin mesazhet e tyre ndërgjegjësuese në terren. Ata nën sloganin mbarë botëror “Së bashku për një Internet më të mirë”, kanë ndarë materiale informuese dhe ndërgjegjësuese me fëmijë, prindër, nxënës dhe mësues të komunitetit ku punojnë. Së bashku me këto informacione mbi sigurinë e fëmijëve dhe adoleshentëve në përdorimin e internetit, mësuesit dhe mbrojtësit e të drejtave të fëmijëve, kanë përcjellë edhe mesazhet e tyre për raportim të menjëhershëm të rasteve të papërshtatshme dhe incidenteve që të miturit hasin në internet.  
Sot interneti është pjesë e jetës së fëmijëve dhe siguria në mjedisin virtual përbën një pjesë themelore të mbrojtjes së tyre. Përpjekjet për të ofruar një mjedis më të mirë në internet na përkasin të gjithëve ne. Të gjithë së bashku, mund të kontribuojmë për ta bërë internetin një hapësirë ku fëmijët informohen, komunikojnë, krijojnë apo përfshihen në çfarëdo lloj mënyre të sigurt.
Prejvitesh Dita Ndërkombëtare e Internetit të Sigurt synon të krijojë një internet më të sigurt dhe më të mirë, ku të gjithë janë të ndërgjegjësuar të përdorin teknologjinë me përgjegjësi, respekt dhe në mënyrë kritike. Organizimi i Ditës së Internetit të Sigurt që në vendin tonë lehtësohet nga CRCA/ECPAT Shqipëri, tenton të sjellë në vëmendjen e fëmijëve, prindërve, institucioneve, profesionistëve dhe publikut të gjerë çështjet e sigurisë së fëmijëve në internet.
Fushata synon të arrijë te fëmijët, të rinjtë, prindërit, kujdestarët, mësuesit, arsimtarët, profesionistët e mbrojtjes së fëmijëve, kompanitë e industrisë dixhitale, vendimmarrësit dhe politikanët, për t’i inkurajuar të gjithë të luajnë rolin e tyre në krijimin e një interneti më të mirë.
Këtë vit CRCA/ECPAT Shqipëri në bashkëpunim me Qendrën për Internet të Sigurt në Shqipëri, Platformën Kombëtare ISIGURT.al dhe Qendrën Kombëtare Burimore për të Rinjtë në Shqipëri (YRCA) prezantuan edhe raportin “Të përdhunuar në Internet: Industria i Internetit përballë mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri!”. Ky raport solli detaje mbi situatën e dhunës dhe shfrytëzimit seksual, bullizmit, kërcënimeve, shantazhimeve dhe përndjekjeve që rrezikojnë çdo ditë fëmijët dhe adoleshentët në përdorimin e internetit të pasigurt.
Dita Ndërkombëtare e Internetit të Sigurt, është një ngjarje globale, e cila kujtohet dhe festohet gjerësisht në të gjithë botën, ku marrin pjesë mbi 170 shtete.
Për më tepër informacion, kontaktoni në; isigurt@isigurt.al


Detajet e Lajmit
February 9, 2021
789
Kategoria