Tiranë, 30 Janar 2014 – Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri dhe Zyra e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi organizuan sot takimin “Politika përfshirëse dhe mos-diskriminuese për personat LGBT”, i cili kishte për qëllim të bënte një prezantim të politikave përfshirëse dhe mos-diskriminuese ndaj personave LGBT në vend dhe praktikave më të mira të zbatuara deri tani.
Qeveria Shqiptare është duke zbatuar Planin e Masave kundër diskriminimit për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor 2012-2014. Në këtë takim përfaqësuesit e institucioneve publike, institucioneve të pavarura dhe shoqërisë civile të përfshira në këtë plan masash shprehën angazhimin e tyre për të vazhduar punën për zbatimin e tij edhe gjatë vitit 2014 si edhe dolën me një sërë rekomandimesh për iniciativa të përbashkëta në të ardhmen.
Altin Hazizaj, moderator i takimit, në fjalën hapëse tha se “Ne presim nga insitucionet publike dhe ato të pavarura që viti 2014 të hapë një faqe të re përsa i përket respektimit dhe garantimit të të drejtave të komunitetit LGBT në vend”.
Irma Baraku, Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, tha se “Institucioni ka trajtuar 7 çështje diskriminimi ndaj komunitetit LGBT. Në 3 raste shkelësit janë sanksionuar me gjobë dhe në 4 raste të tjera me rekomandime”.
Në takim mori pjesë edhe Avokati i Popullit, zv.Ministrja e Punëve të Brendshme, përfaqësues nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministrisë së Integrimit, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Bashkisë Tiranë, përfaqësues të organizatave lokale dhe ndërkombëtare, trupit diplomatik në vend, media, etj.
Pjesa e dytë e takimit, u përqëndrua në diskutime të hapura mes pjesmarrësve dhe konkludoi në një sërë rekomandimesh të cilat duhet të mbahen parasysh nga të gjithë aktorët për iniciativa të përbashkëta përgjatë vitit 2014, në mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të personave LGBT në vend.
Për më shumë info kontaktoni:
Z. Artan Karoli
E-mail: info@pinkembassy.al


Detajet e Lajmit
February 1, 2014
237
Kategoria