Tiranë, 13 Maj 2014- Qëndra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri – CRCA dhe Observatori për të Drejtat e Fëmijës nëbashkepunim me Bashkinë e Tiranës organizuan sot workshopin rajonal me temë “Çdo fëmijë rom në kopsht”. Ky takim kishte si qëllim të mblidhte së bashku institucionet kryesore të Qarkut të Tiranës për të diskutuar zgjidhje dhe rekomandime që ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe integrimin e fëmijëve rom në arsimin para-shkollor.
Nisma e UNICEF Shqipëri “Çdo Fëmijë Rom në Kopsht” me mbështetjen e Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri dhe Kooperimit Austriak për Zhvillim dhe zbatuar nga CRCA, OBS dhe YWCA, synon të ngrejë dhe mbështesë rrjetet lokale në çështjet e fëmijërisë së hershme dhe integrimit të fëmijëve rom në sistemin parashkollor. Në këtë takim përfaqësuesit e institucioneve publike lokale dhe qëndrore dhe shoqërisë civile shprehen angazhimin e tyre për të vazhduar punën në mbështetje të komunitetit rom dhe veçanërisht për integrimin e fëmijëve 3-6 vjeç në kopsht, si edhe dolën me një sërë problematikash për tu adresuar për të ardhmen.
Z. Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA Shqipëri, në fjalën e tij tha se “Ka ardhur koha që shoqëria të ndërgjegjësohet dhe të kuptojë se zgjidhja nuk është diskriminimi por integrimi i çdo fëmije rom dhe jo rom që i përket një shtrese të maxhinalizuar”.
Znj. Aulona Mancaku, Drejtoresha e Burimeve Sociale në Bashkinë e Tiranës në fjalën e saj përshëndetëse tha “Ne kemi përdorur dhe garantojmë që do të vazhdojmë të përdorim çdo mekanizëm për të bërë të mundur integrimin e sa më shumë fëmijëve rom në çdo kopsht publik të qytetit të Tiranës”.
Gjatë kësaj tryezë Znj. Ilda Bozo, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë tha se: “Të gjitha problematikat e këtij komuniteti kanë ndërlidhje por më e rëndësishme është arsimi. Pikënisja më e rëndësishme është investimi parashkollor. Nëse do investohet që në këtë moshë, atëhere pjestarët e këtij komuniteti do të jenë më të përgatitur për çdo stad tjetër në jetë”.
Znj. Tërshana, Drejtoreshë e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve, tha “Problemet e komunitetit rom në pamje të parë duken të njëjta por teknikisht janë tejet të ndryshme. Problemet e këtij komuniteti janë tepër të mprehta dhe si rrjedhojë kërkohet një shumëllojshmëri ndërhyrjesh, ku komponenti i shoqërisë civile është vendimtar dhe i domosdoshëm”.
Diskutimet në këtë workshop u ndalën në disa çështje shumë të rëndësishme si ecuria e proçesit të vaksinimit të fëmijëve të komunitetit rom, pamundësia e familjeve rome për të paguar parapagesën e kopshteve, frekuentimi i sistemit parashkollor nga fëmijët si dhe shërbimet e ndaj këtij komuniteti, etj.
Znj. Mirlinda Bushati, oficere programi pranë UNICEF, u shpreh se është e rëndësishme të “Investojmë pak në parashkollor (tek fëmijët) dhe sigurisht që kthimi do të jetë akoma më i madh në të ardhmen.”
Në takim morën pjesë përfaqësues nga institucionet kryesore të qytetit të Tiranës ku mund të përmendim Bashkinë Tiranë, Komunat e qarkut Tiranë, Ministrinë e Mirëqënies Sociale, Ministrinë e Shëndetësisë, Kryetarë Minibashkie, Drejtoria Rajonale Arsimore, Qendra Ekonomike Tiranë, Qendrat Shëndetësore, OJF Rome, CPU, Drejtues Kopshtesh, Drjetues të Shkollave 9-vjeçare, etj.
Workshopi u përqëndrua në diskutime të hapura mes pjesëmarrësve dhe konkludoi me ngritjen e çështjeve dhe një sërë rekomandimesh për adresimin e problematikave që has komuniteti rom në këtë qytet. Duhet të shihen me përparësi këto çështje:

Të ndërmerren një sërë iniciativash të ndryshme mbi edukimin dhe ndërgjegjësimin e nënave të komunitetit rom;
Të hiqet parapagesa prej 5 mijë lek të reja për kopshtet me drekë për shtresat në nevoje dhe të marxhinalizuara;
Këshilli Bashkiak i Tiranës të vendosë kuota për fëmijët e komnitetit rom në kopshtet publike si me drekë ashtu dhe në ato pa drekë;
Këshilli Bashkiak të gjejë zgjidhje për: i) klasat dhe grupet e kopshteve mbi kapacitetin e lejuar, si dhe ii) rritje të fondit për ushqimin dhe bazën material për fëmijët që do të regjistrohen.  
Të përzgjidhet në bordet e prindërve të shkollave një prind nga komuniteti rom.

Për më shumë informacion, kontaktoni:
Mersila Ballo
HRH, CRCA Shqipëri
Tel: 0694060392
E-mail: mersila.ballo@crca.al


Detajet e Lajmit
May 16, 2014
316
Kategoria