Korçë, 25 Mars 2016– Bashkia Korçë në bashkëpunim me CRCA Shqipëri, organizuan sot në sallën e konferencave të Hotel Life Gallery workshopin “Aksesi i fëmijëve rom në shërbimet e fëmijërisë së hershme”. Takimi kishte si qëllim të sillte së bashku të gjithë aktorët kryesorë për të diskutuar sfidat e vitit të parë e të dytë, të sillte zgjidhje që ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës të fëmijëve rom, të prezantojë gjetjet e vëzhgimit “Aksesi i fëmijëve rom në shërbimet e fëmijërisë së hershme” si dhe të angazhojë të gjithë aktorët për “Prioritetet për arsimin parashkollor të fëmijëve rom në Qarkun Korçë”.
Workshopi i sotëm u zhvillua në kuadër të nismës së MAS, UNICEF dhe CRCA Shqipëri “Çdo Fëmijë Rom në Kopsht”. Në këtë workshop përfaqësuesit e institucioneve publike dhe shoqërisë civile shprehen angazhimin e tyre për të vazhduar punën në mbështetje të komunitetit rom dhe veçanërisht për integrimin e fëmijëve 3-6 vjeç në kopsht, si edhe u ngritën një sërë problematikash për t’u adresuar për të ardhmen.
Drejtor i CRCA Shqipëri, në fjalën e tij të hapjes tha se “Zhvillimi i bashkëpunimit me vendim-marrësit (Bashkinë, Këshillin Bashkiak, Autoritetet Lokale) dhe komunitetin rom ka rëndësi të madhe për të nxitur integrimin e fëmijëve rom në arsimin parashkollor”. Gjithashtu, gjatë fjalës së tij Z. Hazizaj theksoi faktin se familjet e komunitetit Rom duhet të fuqizohen dhe mobilizohen me qëllim angazhimin aktiv të tyre për të dialoguar me qeverinë lokale dhe ofruesit e shërbimeve.
Znj. Terova, zv. Kryetare e Bashkisë Korçë nënvizoi rëndësinë që Bashkia i jep shtresave në nevojë dhe integrimit të tyre në shoqëri. Ajo në fjalën e saj tha: “Kemi bashkëpunuar me shumë aktorë që punojnë për komunitetin rom në Korçë si dhe do të vijojmë punën tonë në fushat e regjistrimit të fëmijëve, arsimimit, integrimit të të rinjve në punësim si dhe do të mbështesim të gjitha iniciativat dhe hartimin e politikave lokale për të bërë të mundur që ky komunitet të jetë faktor aktiv në shoqëri”.
Në pjesën e parë të workshopit, Z. Elvis Gjata, Koordinator i Qarkut Korçë, bëri një prezantim të shkurtër të punës dy vjeçare në këtë qark. Ai u ndal në arritjet kryesore të iniciativës dhe të historive të suksesit në rang kombëtar. Gjatë prezantimit u diskutua mbi rekomandimet dhe çështjet kryesore që kjo nismë duhet të marrë parasysh në vazhdimësi për integrimin e fëmijëve rom në arsimin parashkollor dhe atë të detyruar.
Më pas workshopi vijoi me prezantimin e vëzhgimit “Aksesi i fëmijëve rom në shërbimet e fëmijërisë së hershme” për t’iu shpalosur aktorëve të pranishëm rezultatet dhe rekomandimet kryesore të studimit.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga institucionet kryesore të qarkut të Korçës ku mund të përmendim Bashkinë, Këshillin e Qarkut, Shërbimi Social Shtetëror, Bashkia Maliq, përfaqësues nga Drenova, Drejtoria e Shëndetit Publik, drejtues të shkollave dhe kopshteve të qytetit, mësues, përfaqësues të organizatave jo-qeveritare lokale, rinore, studentë, media, etj.
Workshopi u përqëndrua në diskutime të hapura mes pjesëmarrësve dhe konkludoi me ngritjen e çështjeve dhe një sërë rekomandimesh për adresimin e problematikave që has komuniteti rom në këtë qytet. Në fund të takimit pjesëmarrësit lanë takim për të organizuar në vijim një workshop të dytë për të hartuar  “Planin e veprimit për komunitetin rom dhe egjiptian për Qarkun e Korçës” në konsultim me komunitetin rom. 
Për më shumë informacion, kontaktoni: Elvis Gjata, email: elvis.gjata@crca.al; Tel:  0675002023


Detajet e Lajmit
May 5, 2016
486
Kategoria