Tiranë 25 Mars 2013 – Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), është njoftuar javën që shkoi nga Institucionet e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokatit të Popullit për nisjen e proçedurave të hetimit administrativ ndaj Këshillit Bashkiak të Tiranës, lidhur me çështjen e ndalimit të përfaqësueseve të CRCA për ndjekjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak të datës 28 shkurt 2013.
Pas ngjarjes së ndodhur, CRCA reagoi përmes një Deklarate Publike ku protestonte për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të çdo qytetari për të marrë pjesë dhe për të ndjekur mbledhjet e institucioneve të zgjedhura prej tij, të drejta këto të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë si edhe për diskriminim të përfaqësueseve të organizatës të cilat nuk janë lejuar të ndjekin mbledhjen pavarësisht se CRCA kishte njoftuar Këshillin për praninë e vëzhguesve në mbledhje.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokati i Popullit kanë shprehur angazhimin e tyre për ndjekjen dhe hetimin e çështjes. Më pas, CRCA është njoftuar zyrtarisht nga të dy institucionet për nisjen e proçedurave administrative për hetimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të paraqitura në ankesë-deklaratën e CRCA.
Institucioni i KMD ka kërkuar një informacion më të hollësishëm nga CRCA lidhur me rastin dhe Institucioni i Avokatit të Popullit ka dërguar tashmë një kërkesë për informacion lidhur me ngjarjen në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
CRCA përgëzon të dy insitucionet për reagimin dhe nisjen e proçedurave të menjëhershme dhe shpreh bindjen e saj se institucionet duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar respektimin e të drejtave të qytetarëve në ushtrimin e tyre larg pengesave administrative dhe për të siguruar të drejtat themelore të njeriut në një vend demokratik.


Detajet e Lajmit
March 25, 2013
208
Kategoria