Tiranë, më 19.03.2012
Minutat e takimit
Vendndodhja: Instituti i Ekzekutimit të Veprave Penale, Kavajë
Tematika : “I mituri, Ligji dhe Drejtësia”
Ekspertë:Qëndra Shqiptare e Shërbimeve Ligjore të Integruara (QSHPLI)
Në kuadër të projektit ‘’Supporting Minors in Kavaja Institute‘’ Faza II, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Institutin e të Miturve Kavajë, Save the Children, UNICEF dhe CRCA/DCI, Shqipëri, ka organizuar në datë 15.03.2012 një temë të hapur me të miturit që vuajnë dënimin dhe të mitur që janë në pritje të gjykimit në Institutin e Ekzekutimit të Veprave Penale, Kavajë me tematikë “I mituri, Ligji dhe Drejtësia”.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte informimi, ndërgjegjësimi dhe rritja e potencialeve të të miturve lidhur me drejtësinë për të mitur dhe administrimin e saj.
Aktiviteti u realizua në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë ligjorë (avokatë dhe psikologë) të QSHPLI duke u konsideruar si hapi i parë i partneritetit në fazën e mëtejshme të zbatimit të programit.
Tematika u zhvillua nga ora 10.30 deri në 13.00 ku morën pjesë 36 të mitur të 3 sektorëve në I.E.V.P.Kavajë, 2 sektorë me të mitur në pritje të gjykimit dhe një sektor me të mitur të dënuar. Takimet me të miturit u zhvilluan në sektorët përkatës ku qëndrojnë të miturit.
Në trajtimin e tematikës të miturit artikuluan dhe ndanë me avokatët problematika të ndryshme dhe specifike për secilin lidhur me mungesën e informimit gjatë proçesit të ndalimit, avokatët që nuk takojnë të miturit, të miturit nuk i merret mendimi gjatë proçesit gjyqësor dhe nuk thotë fjalën e fundit nëse është apo jo dakort me atë çfarë ka shprehur avokati mbrojtës, kohëzgjatja e proçeseve gjyqësore, mungesa e avokatëve ose gjyqtarëve në proçes, etj.
Gjatë trajtimit të kësaj teme u diskutua lidhur dhe me gjykimin e drejtpërdrejtë, atë të shkurtuar, rrethanat lehtësuese për të miturit, masat disiplinore, kur përfitohet ulja e dënimit, lejet shpërblyese, amnistia, e drejta për tu përfaqësuar nga dy avokatë, shërbimi i provës dhe monitorimi elektronik etj.
Të miturit në pritje të gjykimit treguan interes të madh në trajtimin e tematikës, ishin bashkëpunues, u përfshinë në diskutimin e temës aktivisht dhe sollën shembuj konkret nga historitë e tyre gjatë arrestimit, pritjes së gjykimit etj.Tema e diskutimit nxorri në pah informacionin ekzistues që kishin të miturit duke e përmirësuar atë dhe duke dhënë informacionin e saktë si dhe nevojat e tyre për të rritur njohuritë rreth administrimit të drejtësisë për të mitur.
Të miturit shprehën interes për diskutimin e tematikave të tilla edhe në vazhdimësi, për t`u informuar më shumë rreth proçeseve gjyqësore, proçedurat që ata duhet të ndjekin, të drejtat e tyre rreth proçesit të gjykimit, etj.
Trajtimi i tematikave të tilla paraqet interes jo vetëm për të miturit por për të gjithë profesionistët që punojnë në këtë fushë duke forcuar rrjetin e partnertitetit dhe bashkëpunimit në fushën e drejtësisë për të mitur. Kjo iniciativë kontribuon në realizimin e nje procesi gjykimi të drejtë, i cili lehteson periudhën e pritjes së dënimit dhe të kryerjes së tij në funksion të re-integrimit final të të miturit.