CRCA/ECPAT Shqipëri: Tortura ndaj çdo qenie njerëzore është e papranueshme dhe e kundraligjshme, por kur ajo ushtrohet ndaj një të mituri, tregon se struktura e Policisë së Shtetit ka ende probleme serioze me mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve!

Tiranë, 31 Mars 2021 – Qendra Kombëtare për Rehabilitimin dhe Riintegrimin e të Miturve në Konflikt me Ligjindhe CRCA/ECPAT Shqipëri, nëpërmjet kësaj deklarate i drejtohen Policisë së Shtetit dhe Komisionerit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve pranë Avokatit të Popullit, për të kërkuar ndërhyrjen e tyre në hetime institucionale lidhur me dhunën e ushtruar ndaj të miturit D.B[1], 16 vjeç, në zonën e Kamzës.
Në datë 29 Mars 2021, në orën 08:00, i mituri D.B është shoqëruar nga patrulla e policisë nga shtëpia e tij drejt Komisariatit të Policisë nr.5, në Kamëz, me qëllim marrjen në pyetje lidhur me një vjedhje të bërë një ditë më parë në zonën e Kamzës. Gjatë momentit të shoqërimit i mituri D.B është shoqëruar drejt mjediseve të Komisariatit nr.5 nga mamaja e tij, falë këmbënguljes së kësaj të fundit për të mos e lënë djalin vetëm.
Në momentin që D.B dhe nëna e tij kanë mbërritur në Komisariat, kjo e fundit ka marrë në telefon Zyrën e Mbrojtjes ligjore falas te CRCA/ECPAT Shqipëri, duke kërkuar nga Policia që i mituri të mos intervistohet pa praninë e Avokatit dhe Psikologut të CRCA/ECPAT Shqipëri. Ndërkohë njëri prej policëve e ka parë zonjën duke folur në telefon, dhe menjëherë i ka marrë telefonin duke mos e lejuar atë, që të qëndrojë brenda mjediseve të Komisariatit nr.5.  
Nëna e të miturit ka pritur 6 orë jashtë Komisariatit dhe kur D.B është lënë i lirë, ajo ka evidentuar shenja të rënda dhune të tilla si: dëmtim të njërit vesh, dëmtim në pjesën e brëndshme të gojës, hematoma dhe nxirje në fytyrë dhe në kokë. Gjendja psiko-emocionale e të miturit paraqitet tejet e rënduar si pasojë e torturës dhe trajtimit çnjerëzor.
CRCA/ECPAT Shqipëri bazuar në deklarimet që ka marrë deri më tani vëren se ka shkelje të rënda të Kushtetutës së Shqipërisë, Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, Kodit të Procedurës Penale dhe akteve të tjera ligjore për procedurën e intervistimit të të miturve. Nisur nga kjo ngjarje e rëndë CRCA/ECPAT Shqipëri kërkon nga Policia e Shtetit dhe Komisioneri për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëvepranë Avokatit të Popullithetim të menjëhershëm dhe të pavarur të rastit të torturës dhe trajtimit çnjerëzor ndaj 16 vjeçarit D.B si dhe ndjekje penale ndaj çdo punonjësi të policisë në Komisariatin nr.5 që kanë keqtrajtuar të miturin.        
Për më shumë informacion ju lutem kontaktoni CRCA/ECPAT Shqipëri në adresën: crca@crca.al

[1] Për arsye të ruajtjes së identitetit të të miturit inicialet e emrit janë ndryshuar.