CRCA Shqipëri dhe ANYN të shqetësuar për apatinë e institucioneve shtetërore dhe ligjzbatuese

Tiranë, 29 Shtator 2018 – CRCA Shqipëri dhe Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) dy organizata kryesore në vend për Mbrojten e të Drejtave të Njeriut, prej 3 ditësh kanë pritur me shqetësim të madh reagimin zyrtar dhe të pavaruar të Kuvendit të Shqipërisë, Qeverisë dhe të të gjitha organeve të zbatimit të ligjit, në lidhje me përfshirjen dhe akuzat ndaj deputetëve dhe familjarëve të tyre për ushtrim dhunë ndaj një vajze jetime dhe pa mbrojtje në Fushë-Krujë.
CRCA dhe ANYN, nëpërmjet kësaj deklarate, kërkon të reagojë me forcë jo vetëm mbi reagimin jo të duhur ndaj këtij rasti por dhe mbi  mungesën e theskuar dhe të paprecedentë të shërbimeve mbështetëse dhe mbrojtëse që duhet të merrte vajza si  viktimë e dhunës së ushtruar.
CRCA dhe ANYN shprehin shqetësimin e tyre, pasi reagimi zyrtar nuk ka ndodhur në formën e duhur. Të akuzuarit me deklarimet e tyre, në bindjen tonë, nuk i kanë krijuar sistemit të drejtësisë akses të plotë që ata të hetohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të pavarur.
Ndërkohë, vajzës së dhunuar nuk i është ofruar dhe ende nuk i ofrohet shërbimi  mbështetës dhe mbrojtës,  një funksionim i munguar në vite në vendin tonë për të tilla raste.
Për aq kohë sa ende ka dyshime për ngjarjen, si ka ndodhur, çfarë ka ndodhur, kush ishin personat që u përfshinë në dhunë, dhe si është reaguar, CRCA dhe ANYN i kërkojnë institucioneve shqiptare në mënyrë urgjente që:

Kuvendi i Shqipërisë dhe organet ligj-zbatuese të ngrenë një Komision Hetimor të Posaçëm për të hetuar në mënyrë të menjëhershme dhunën e ushtruar ndaj vajzës, kjo referuar aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, si dhe përfshirjen në këtë situatë të deputetëve dhe familjarëve të tyre;
Ne i kërkojmë Nën-komisionit parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Dhunën në Familje të Kuvendit, që në seancën dëgjimore që do të organizojnë ditën e hënë në orën 12.00 me institucionet dhe shoqërinë civile mbi funksionimin e mekanizmit kombëtar të dhunës me bazë gjinore, të marr në shqyrtim masat e marra për mbrojtjen e zonjushës Xh. M. dhe pse mekanizmi i referimit të Bashkisë Krujë nuk ka arritur të ofrojë mbrojtjen e kërkuar nga ligji;
Prokuroria e Përgjithshme të hapë në mënyrë të menjëhershme hetime urgjente, në lidhje me akuzat dhe personat e përfshirë në këtë akt dhune, sipas aktit të ekspertizës mjeko-ligjore bërë publike vetëm dje nga mediat;
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale dhe Bashkia përgjegjëse të ofrojnë urgjentisht të gjitha shërbimet mbështetëse dhe mbrojtëse si dhe të zbatojnë të gjitha urdhërat mbrojtëse ndaj vajzës 25 vjeçare, viktimë e dhunës së ushtruar së fundmi. 

Shteti dhe institucionet publike, si dhe të gjithë zyrtarët publikë në vend, me veprimet e tyre kanë vënë në dyshim serioz barazinë përpara ligjit të shtetasve shqiptarë. Për më tepër mosreagimi i disa institucioneve ngre dyshimet serioze të kapjes së shtetit shqiptar nga individë të caktuar dhe përdorimit të institucioneve publike për interes të tyre.
Vetëm një hetim i pavarur dhe i hapur do të mund të garantonte vënien e drejtësisë dhe përballjen e të akuzuarve me ligjin.


Detajet e Lajmit
September 29, 2018
231
Kategoria