Tiranë, 6 Gusht 2024 – Në të tre vende të Ballkanit Perëndimor, u hap sot Fushata publike ndërgjegjësuese “Heshtja rrit mundësinë e Abuzimit”, e cila i drejtohet publikut të gjerë në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, duke kërkuar që të nxisë një rol më aktiv të politikë-bërësve në këto tre vende për të përmirësuar ligjet dhe politikat për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual në internet. Fushata është pjesë e projektit të përbashkët TOMAS dhe mbështetet nga SMART Balkans, me fonde të Ministrisë së Jashtme të Norvegjisë.
Fushata “Heshtja rrit mundësinë e Abuzimit” do të zhvillohet e gjitha online në të gjitha platformat kryesore, si: Facebook, Instagram, Tiktok, X dhe Linkedin që në mëngjes sot, në të treja gjuhët u postua imazhi i parë i fushatës, mesazhi kryesor i të cilës vendoset tek ndërmarrja e masave për të zbuluar, raportuar dhe më pas eliminuar nga interneti çdo material me përmbajtje të dhunës seksuale ndaj fëmijëve apo që dëmton fëmijët.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos pas pandemisë së Covid19 po përballen me nivele tepër të larta të dhunës dhe ngacmimit seksual online të fëmijëve, ku vende si Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, mbajnë peshën kryesore të këtyre incidenteve. Vetëm në Shqipëri, iSIGURT.al gjatë vitit 2023, raportoi mbi 200 incidente me përmbajtje të dhunës seksuale online apo formave të tjera të dhunës ekstreme dhe dëmtimit të fëmijëve. Nga ana tjetër, asnjë prej vendeve në Ballkan nuk ka zhvilluar legjislacionin dhe politikat e tij për të bërë të mundur një mbrojtje më të mirë të viktimave.
Qëllimi kryesor i nismës TOMAS është që të rrisë ndërgjegjësimin e autoriteteve dhe shoqërisë mbi sigurinë online për fëmijët dhe të rinjtë në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nxitur diskutimet mbi këtë çështje, të shkëmbejë përvojat dhe dijet ndërmjet aktorëve të ndryshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë mbi luftën kundër materialeve me përmbajtje të dhunës seksuale ndaj fëmijëve (CSAM).
Nisma filloi të zbatohet në Dhjetor 2023 (përfundon në Nëntor 2025) dhe udhëhiqet nga Qendra për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar në Serbi, në partneritet me Qendrën për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Shqipëri) dhe Ambasadën e Parë të Fëmijëve në Botë “Megjashi” nga Maqedonia e Veriut. Projekti mbështetet nga SMART Balkans: “Shoqëria civile për shoqërinë e përbashkët në Ballkanin Perëndimor,” financuar nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme, duke kontribuar në forcimin e demokracisë pjesëmarrëse dhe integrimit euro-atlantik në Ballkanin Perëndimor.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al