Tiranë, 4 Shkurt 2022- Shqipëria çeli sot siparin e një prej fushatave më të rëndësishme në nivel kombëtar dhe global, atë të internetit të sigurt dhe mbrotjtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve nga dhuna e shfrytëzimi në internet.
Fushata zhvillohet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Internetit të Sigurt, një ditë që i përket të gjithë botës dhe në të cilën vendi ynë është bërë pjesë që prej vitit 2005. Synimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit për çështjet më shqetësuese që fëmijët dhe të rinjtë ndeshin gjatë navigimit në internet, të cilat kërkojnë përfshirjen e institucioneve publike, shoqërisë dhe industrisë së internetit.
Këtë vit, Dita Ndërkombëtare për Internetin e Sigurt zhvillohet nën moton “Së bashku për internet më të sigurt”. Ajo inkurajon Kuvendin, Qeverinë, institucionet ligj-zbatuese, industrinë e internetit, OSHC-të, prindërit dhe fëmijët, që të krijojnë një mjedis sa më të sigurt për navigimin në internet për të gjithë.
Fushata përfshin organizimin e një sërë aktivitetesh, që organizohen e mbështeten nga Platforma Kombëtare ISIGURT.AL dhe CRCA/ECPAT Shqipëri, në partneritet me Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Agjensinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve etj. Aktivitetet kryesore të fushatës janë:

Forumi i 7-të Kombëtar- “Së bashku për një internet më të sigurt për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri”;
Botimi i raportit vjetor “Mbrojtja e Fëmijëve dhe të rinjve online në Shqipëri 2021”;
Fushata “Dhuna seksuale në internet ndaj fëmijëve është KRIM! RAPORTOJE!”;
Publikimi i tre broshurave udhezuese “Për një Internet më të Sigurt për Fëmijët dhe Adoleshentët në Shqipëri”, nga ISIGURT.AL dhe CRCA/ECPAT Shqipëri;
Aktivitete ndërgjegjësuese në shkolla dhe hapësira publike mbi internetin e sigurt.

CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Platforma Kombëtare ISIGURT.AL, ftojnë të gjithë prindërit, mësuesit, politikë-bërësit, përfaqësuesit e institucioneve publike dhe private, industrinë e internetit dhe platformat online të lajmeve në gjuhën shqipe, opinionin e gjerë dhe mediat, organizatat e shoqërisë civile që të bëhen pjesë e fushatës, duke organizuar takime informuese dhe ndërgjegjësuese për një nga problematikat e mëdha që po përjeton Shqipëria dhe e gjithë bota, e që prej pandemisë duket se është kthyer në një situatë alarmante, dhuna dhe ngacmimet seksuale ndaj fëmijëve në internet.
CRCA/ECPAT Shqipëri, që prej vitit 2005 punon për krijimin e një internet të sigurt për fëmijët dhe adoleshentët në vendin tonë. Në vitin 2016, u krijua për këtë gjë edhe Platforma Kombëtare për Internetin e Sigurt, ISIGURT.AL, në të cilën gjithkush mund të raportojë ngacmimet, bulizmin, gjuhën e urrejtjes, kërcënimet, dhunën dhe shfrytëzimin seksual apo edhe çdo lloj incidenti që has on-line për të krijuar një sistem të sigurt në mbrojtje të fëmijëve dhe të rinjve.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
Cel: +355675002025
E-mail: crca@crca.al
Kontakti me Mediat:
Albana Mustafaraj
E-mail: albana.mustafaraj@crca.al